E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria e shprehjes përballë moralit

berishaNga Petrit Qejvani

Në demokraci njerëzit janë të lirë të shprehen pa frikë për gjithçka duan, ngjarje apo njeri qoftë ky. Por kjo liri nuk të mbron dot nga përgjegjësia për atë që thua, e, sidomos, kur e thua. Në këtë sens ne duhet të kemi frikë edhe nga vetja, nëse vendosemi përballë moralit. E kam fjalën për disa deklarata të vonuara të ardhura nga brenda gardhit të PD-së prej politikanësh apo njerëzish të fushës së letrave të kësaj partie, por edhe të njerëzve jashtë gardhit të kësaj partie nga fusha e diplomacisë, që tani që kalit i ranë patkonjtë, po ti referohemi një poeme të famshme të Shefqet Musarajt, guxojnë e quajnë arrogant dhe fatkeqësi kombëtare Sali Berishën.

Medet, sa vonë! Nuk kam asgjë me përcaktimet e tyre, por ky zbulim i tyre është i vonuar dhe pa asnjë vlerë. Sepse nuk sjell asgjë të re për Berishën, por sidomos është i pamoralshëm dhe nuk bën gjë tjetër, veçse shkarravit portretin e autorëve të këtyre deklaratave. Dhe nuk e di pse u kanë kushtuar vëmendje dhe vend në median e shkruar dhe elektronike. Ndoshta për ti vetëdemaskuar.

Berisha ka hedhur valle këto vite edhe pse ka pasur njerëz të tillë rreth e rrotull, pa skrupuj moralë, të cilët kanë përfituar prej Berishës dhe tani që ai ra nga fiku e kritikojnë Një përpjekje e mjerë për të mbuluar kalbëzimin e tyre moral.

Kjo është cinike dhe e paturpshme. Kritikat për Berishën le tua lënë atyre që ë kanë kritikuar prej kohësh, kur Berisha të bënte gjëmën.

Berisha aty ka qenë prej 1990 e këtej. Dhe gjithë kjo kohë ka qene jo vetëm ë mjaftueshme për ta zbuluar, por dhe e tepërt. Pra, Berisha ka qenë shfaqur, së paku nga 1997 e 1998, që e zhveshi lakuriq si politikan dhe njeri, me gjithë demagogjinë e bollshme dhe një dinakëri tipike bizantino-fshatare, që ai mpiks në qenien e tij aq kundërthënëse largdalluese. Për njerëzit me aftësi normale vëzhgimi, Berisha ka qenë lehtësisht i diagnostikueshëm dhe i përcaktuar.

Si jo pak te tjerë edhe unë jam nga ata që nuk e kam besuar kurrë Berishën në ato që thoshte, prandaj nuk ndjehem aspak i zhgënjyer nga aventura e tij politike. Pikërisht për shkak të pasinqeritetit të tij të dukshëm, që e shfaq në çdo milimetër të portretit të vet. Jo më kot iu drejtohej shpesh njerëzve që kishte përballë që të jem i sinqertë me ju, shprehje tipike e tij, që do të thotë jam i pasinqertë. Gjuha vete ku dhemb dhëmbi.

Sigurisht skam asgjë me njerëzit e thjeshtë që e besuan dhe u zhgënjyen e as me ata që vazhdojnë ta besojnë akoma, të cilët i kanë kënduar edhe O Sali, o flori, ti ke lindur për Shqipëri, apo akoma më keq, për disa intelektualë e politikanë këndej e andej kufirit, që guxojnë dhe e quajnë burrë shtetas, pikërisht se nuk ndërtoi dot shtet, veç e shkatërroi sipas mënyrës së vet marroke.

Por e kishim fjalën për kritizerët e vonuar të Berishës, njerëz që nuk e kanë për gjë ta shesin babain e tyre politik, tani që nuk e ka më shkopin në dorë Nëse me Berishën mendojnë se i lajnë kollaj duart, me moralin jo. Le të zgjedhin vetë. Për mua do tishte më e denjë të mos e kritikojnë tani Berishën, kur deri dje i lëpinin këpucët, por të heshtnin (prandaj heshtja disa herë është flori) dhe tu linin radhën të tjerëve, atyre që e bënë këtë punë që në sabah dhe morën edhe risqet parasysh. Falë dhe luftës së tyre tani Berisha është një ish.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›