Njohjes së Kosovës i paraprin stuhia Shota
Nga Riza Lahi
Dhe, vendin e parë kryetari i jurisë së festivalit ndërkombëtar të folkut në Bursën e famshme, kryeqytetin e parë të osmanëve Kosovaaa…
Salla e madhe ku konkurruan për tre net 23 ansamble nga gjithë bota, shpërthen nga duartrokitjet dhe fishekzjarrët. Artistët e mrekullueshëm të ansamblit shtetëror të Kosovës Shota e tregojnë harenë e tyre me mënyra të ndryshme. Valltari i linjës së parë, një burrë i gjatë dhe i pashëm e me mustaqe, një brilant si të ishte vetë Besim Zekthi në kumet e tija, i bie tabanit të skenës me shpullë, sipas një motivi në vallet e shqiptarëve kur duan të shprehin një gëzim të jashtëzakonshëm. Besnik Grajçevci ka qenë në luftë, si edhe tre artistë të tjerë të këtij ansambli profesionistësh, të krijuar që në vitin 1964. Besniku rrëmbeu armën kur duhej dhe tani paraprinë rrëmbimin e trofeve të ansamblit të tij, që e drejton një burrë i mrekullueshëm dhe këngëtar shumë i njohur, Ismet Bogujevci. Një valltare e ansamblit, një bionde dhe njëra prej 4 këngëtareve merr mikrofonin dhe pa orkestër, nis të buçasë me tone shumë të larta dhe, sigurisht të sakta, kënga e kompozitorit shkodran Zef CCoba Xhamadani vija vija.
Vetëm një njeri rri si i shushatur dhe akoma nuk e ka marrë veten nga kjo hare. Është koreografi i ansamblit dhe i njërës nga vallet më të bukura prej tre valleve që demonstruan kosovarët në këtë festival, Nazmi Demaj.
Demaj ka 30 vite në këtë ansambël dhe kujton edhe periudhën kur pushtuesit e Kosovës më së fundi vendosën të spostonin që të gjithë shqiptarët në këtë ansambël profesionist, nga 4 që kishte ish Jugosllavia duke ia ndryshuar edhe emrin.
Por, sapo ia mëshoi NATO, ne shkuam që të gjithë te selia e ansamblit dhe e morëm në dorëzim menjëherë, na tregon mua, dhe doktorit të famshëm popullor të Tiranës, Selim Vrapit, që ka ardhur tok me ansamblin tonë Shqiponjat në këtë festival, si i ftuar i veçantë i presidentit Eqerem Tuga.
Shpërthimi i Shotës në skenë ishte i papërballueshëm. Trimëresha kosovare hyri në skenë pas disa valleve të qeta e të bukura, sigurisht.
Ajo hyri e bukur, marramendëse, si një simbol I furisë me të cilën Kosova e pasluftës kërkon t ë çajë përpara . Kush përfaqësues shteti që nuk e ka njohur akoma Republikën më të re të Evropës, Kosovën, do të dorëzohej menjëherë përpara kësaj furie të ardhur nga një popullatë nga më vitalet e Evropës dhe me popullatë nga më të rejat të sajat.
Është shumë grishëse të dinë të gjithë se çfarë bën shteti i ri i Kosovës për të ruajtur, zhvilluar dhe forcuar e çarë përpara me ansamblin e ansamblet e tija.
Rreth 120 mijë euro ka vënë në dispozicion të ansamblit vetëm për dieta dhe rrugëtime ministria e Kulturës në Kosovë. Kosova heq nga kafshata e saj e gojës për hir të kulturës. Vallet kosovare tërë furi, elegancë dhe rini, çajnë ngado pa pyetur askënd. Por, të kemi parasysh, se kjo ministri drejtohet nga një artist që, siç thotë gjatë intervistës sonë Nazmi Demaj, Ministri jonë Memli Krasniqi, i ka mësha kitarrës.
Artistët, nga ana e tyre, këtë investim të popullit të Kosovës ia shpërblejnë me shpirt. Ata, që morën çmimin e parë në këtë festival, duke lënë pas Gjeorgjinë dhe Kinën vendet e dyta e të treta sapo qenë kthyer nga një tjetër turne, ku, mes 23 shteteve kishin marrë çmimin e dytë por që, siç më tha i menduar myslimani i devotshëm Ismet Bogujevci dhe që mes tërë atyre ushqimeve përrallore që kishin investuar turqit për pjesëmarrësit në Bursa 968 artistë kishte vendosur të agjëronte, na e kanë hangër hakun, më beso, Rizë!
Thamë se në festivalin botëror të Bursës ishin edhe dy ansamble të tjerë. Njëri, amator, shumë i mirë, vinte nga Tetova. Drejtuesit e tij, qenë mërzitur se Bashkia atje i kishte ndihmuar vetëm duke iu paguar udhëtimin, por nuk iu kishte dhënë dieta. Ata na thanë se që të gjithë ansamblet folklorike pa përjashtim, në Maqedoni janë në konsideratë nga bashkitë lokale. Siç kemi dëgjuar se edhe këtu në Shqipëri, disa bashki veprojnë po ashtu, sidomos ajo e Vlorës, e Fierit e ndonjë tjetër. Po, po, ky ansambli nga Shqipëria që prezantoi folkun tonë në këtë aktivitet me kaq potencë, kur çmimi i parë u shpërblye me 20 mijë euro?? Që u duartrokit gjatë dhe që fitoi simpatinë e të gjithëve?
Sigurisht që do të kishte çuditur që të gjithë pjesëmarrësit, fakti i turpshëm që vjen nga Shqipëria.
Askush, as nga Ministria e TKRS, as nga Bashkia e Tiranës apo ndonjë minibashki, nuk e ka ndihmuar këtë ansambël qoftë edhe me një kacidhe. Qoftë edhe me një rruga e mbarë apo mirëserdhët. Nga ambasada jonë në Turqi as e dhe një selam. Na thanë se, për vendosjen e flamujve nëpër ambientet e mëdhenj të parkut ku bëhej festivali, qenë interesuar edhe ambasadat përkatëse.
Ishte shumë e trishtueshme Kur u kthyem në atdhe, valltari nga më të mirët, Xhoiken Qeama, i shkreti, kishte dalë të priste shokët dhe nuk shqitej dot prej tyre. Ai nuk kishte mundur të vinte në turneun e Bursës, se ia kishin flakur nga puna të dy prindërit dhe nuk kishte mundësi të paguante porcionin e tij për pagesën e autobusit.
Presidenti i ansamblit, Tuga na tregoi se më parë Ministria i ndihmonte sadopak materialisht, mjafton që të prezantoheshin sa më mirë jashtë vendit, dhe, këtë gjë, ta dëshmonin. Mirëpo Kur u bo ministër Ylli Pango, na u pre gjithçkatanimë rrugën apo ftesën e pjesëmarrjes, kur nevojitet, e paguajnë prindërit e fëmijëve, megjithëse, në ansamblet e folkut, rrallë gjen fëmijë parallinjsh.
Shqiponjat e Tugës janë krijuar që në vitin 1994 dhe kanë në sallën ku stërviten me dhjetëra trofe të fituara nga të mbi 160 shfaqet e dhëna jashtë atdheut.