E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lirimi i Berishës, Bardhi: Fitore politike e kreut të PD

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka revokuar masat kufizuese ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Vendimi është përshëndetur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi këtë si një hap të duhur ligjor dhe në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

“Revokimi nga GJKKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Bardhi.

Sipas Bardhit, masat kufizuese ishin joproporcionale dhe kanë penguar për afro një vit aktivitetin politik të Berishës, situatë që ai e quan “një sulm politik i drejtësisë ndaj opozitës”.

“Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës”, shkruan Bardhi.

Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitoi!” – shkruan kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi.

Noka: Presioni i opozitës dhe qytetarëve detyroi këtë narkodrejtësi të lironte Berishën

Edhe Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka reaguar për lirimin e Sali Berishës. Noka tha se presioni i opozitës dhe qytetarëve e detyroi narkodrejtësinë t’i japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe izolimi për liderin e saj.

“Drejtësia e Xhorxh Sorosit apo narkodrejtësia nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndresa, lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi këtë narkodrejtësi.

Drejtësia e Sorosit apo narkodrejtësia e pa që Strasburgu po çelte dritën jeshile dhe do rrëzonte të gjithë vendimet e narkodrejtësisë dhe u ngut në tentativë për të shpëtuar fytyrën e vet”, deklaron Noka.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›