Integrimi në BE, Rama: Inteligjenca artificiale na kursen kohë për përshtatjen e ligjeve, Kroacisë iu deshën shtatë vite

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në tryezën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.
Diskutimet në komision lidheshin me çështjen e pronës dhe sfidat e lidhura me të, në kuadër të negociatave të anëtarësimit në BE.
Teksa vlerësoi punën e bërë deri tani në lidhje me legalizimet, kreu i qeverisë shqiptare, tha se ende ka shumë punë për të bërë, për sa kohë theksoi kreu i qeverisë është ulja në tryezën e BE-së.
“Duke folur tani për pronën është shumë e qartë se nëse kthejmë kokën mbrapa, drejtorja e Kadastrës dha një informacion lidhur me volumin e legalizimeve të kryera, atëherë ne kuptojmë dy gjëra. Ajo që është bërë është shumë voluminoze dhe përmirësimi është shumë i ndjeshëm në raport me pikënisjen, por krejt i pamjaftueshëm në raport me pikëmbërritjen, për sa kohë pikëmbërritja është ulja në tryezën e BE-së.
Është themelore të kuptohet që sa kohë pikëmbërritja jonë është BE, volumi i punës për të bërë është jo vetëm shumë i madh i asaj që është bërë, po është edhe panegociueshëm. Nuk janë negociata janë detyra shtëpie që duhet t’i bëjmë. Këto janë rregullat dhe ne i nënshtrohemi për një arsye shumë të thjeshtë: Nëse ne i zbatojmë si duhet këto detyra ky shtet do të jetë një shtet me standardet e BE. E mira e këtij procesi është se ne nuk do të çojmë Shqipërinë në Bruksel, por do të fusim Europën në Shqipëri në të gjithë gjymtyrën e shtetit dhe shoqërisë, duke garantuar lirinë individuale në të gjitha aspektet, sundimin e ligjit në të gjitha aspektet dhe duke garantuar procesin demokratik në të gjitha aspektet. Këto janë tre gjëra që nuk i bën dot askush për ty. Vetëm në këtë proces mund të bëhen në kohë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli për rolin e teknologjisë në procesin e transferimit të ligjeve të BE-së.
“Sot është plotësisht e mundur që të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar në BE edhe duke plotësuar kriteret që lidhen me pronën, pasi sot kemi me vetë bekimin e kohës falë teknologjisë, nëse nuk do të kishim këtë bekim të gjitha këto procese do të kishin më tepër kohë.
Transferimi i ligjeve të BE-së në Shqipëri është një gjë e jashtëzakonshme, por të mendosh se Kroacia për të bërë procesin vetëm të kalimit të legjislacionit nga pikëpamje mekanike mori shtatë vjet, për të bërë këtë ka angazhuar një numër të jashtëzakonshëm punonjësish, përfshirë përkthyes, redaktorë, korrektorë, etj. Nga produkte që ne kemi nxjerrë përmes inovacionit, kemi transferimin e ligjeve nga anglishtja në shqip me një shpejtësi dhe kualitet të jashtëzakonshëm”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se modeli i Inteligjencës Artificiale do të na japë mundësinë jo vetëm të transferojmë ligjet, por të kemi të dhëna krahasimore, të kemi të dhëna mbi impaktin e ligjeve, dhe një sërë gjërash të tjera.
“Ky është vetëm një shembull që vlen edhe për Kadastrën, duke pasur teknologjinë ne mund të bëjmë hapin e fundit për ta përmbyllur një proces që ka marrë shumë kohë, por që mund të merrte edhe më shumë kohë në një moment tjetër”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Inteligjenca Artificiale dhe teknologjia mund të përdoren dhe në sistemin gjyqësor.
“Do të them një shembull real për proceset gjyqësore në Shqipëri. Rasti i një konflikti prone që shkon në gjykatë dhe gjykata disponon hartën, dhe harta nga palosja dhe shpalosja kushedi sa herë e atij territori në cepat e palosura ishte hapur një vrimë dhe në vendimin e gjyqtares thuhej: “Konflikti nuk zgjidhet dot se prona është në vrimë””.
“Ky ka qenë procesi, kjo ka qenë sfida dhe tani të gjitha llojet e vrimave që përndryshe do të ishte dashur një kohë shumë e gjatë për ti mbyllur, mund të mbyllen falë teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale. Në këtë aspekt jam shumë optimist, sepse kemi shumë progres në të gjitha strukturat e qeverisjes. Shpresoj që edhe pushtetet e tjera legjislative të bëjnë shumë më tepër në këtë aspekt. Nëse nuk e bëjmë të gjithë këtë gjë mbetemi i një territor ku sistemi nuk e ka mundësinë të ofrojë të gjitha ato që mund të ofrojë për shkak se nuk është i gjithë shteti i mbyllur në sistem”, tha Rama.
Rama tha se asistenca teknike e BE-së është shumë e favorshme, ndërsa përmendi si shembull Greqinë.
“Asistenca teknike e BE-së është shumë e favorshme. Kemi procese pozitive dhe me vende të veçanta. Po sjell rastin e Greqisë, që po bën tani digjitalizimin e Kadastrës. Fakti që Greqia është më përpara dhe ka një ekspertizë, por është edhe në BE, duke patur një kujdesje të posaçme për trajtimin e minoritetit nga ana jonë, dhe Greqia e kërkon të jetë e pandërprerë, ajo që ka prodhuar ngërçe edhe në të kaluarën, është një mundësi, një platformë pozitive bashkëpunimi dhe bashkërendimi”, tha Rama.
/a.f/r.e/