E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Po përgatisim rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë

Kryeministri Edi Rama është ndalur sërish te fenomeni i lirimin të hapësirave publike. Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetin social Facebook, Rama njoftoi se po përgatitet një rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë dhe do të japë qartë hapësirat e lirisë.

“Ky nuk është sulm ndaj aktivitetit sipërmarrës, po përgatisim një rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë dhe do të japë qartë hapësirat e lirisë. Çfarë është e përbashkët, është e paprekshme. Çfarë i takon të gjithëve bashkë, nuk mund të jetë pre e sulmit të dikujt që merr guximin që të behet gllabërues dhe plaçkitës“, tha Rama ndërsa u ndal edhe tek roli i teknologjisë në këtë proces.

“Në fund kam edhe elementin e teknologjisë. Shqipëria ka bërë progress të jashtëzakonshëm dhe para pak ditësh, një nga institutet më prestigjioze në botë të qeverisjes, të matjes së parametrave të qeverisjes, e përcaktoi Shqipërinë si një nga yjet në ngjitje të hapësirës evropiane së bashku me 4 vende të tjera për reformat dhe transformimin. Shqipëria është diçka krejt tjetër, e tregojnë shumë gjëra. Teknologjia do të na ndihmojë në këtë fazë, që siç kemi kaluar te faza ku të gjithë ngrini llaç e ngrinin mure, kalojmë te faza që s’do të ketë më. Teknologjia do të na çlirojë nga ky fenomen ”, tha Rama.

Teksa e cilësoi nismën si fazën e parë të një “Rilindjeje 2.0”, me synimin për të krijuar hapësira komunitare më cilësore, kryeministri Rama tha gjithashtu se lirimi i hapësirave publike është një program që do të zgjasë katër vjet.

“Do të ecim me shpejtësi dhe kjo nuk është gjë të tjetër vetëm se faza e parë e një rilindje të re, Rilindjes 2.0. Për të krijuar hapësira komunitare cilësore. Do u japim disa detyrime për punët për të cilat do të kenë edhe disa të drejta. Si cilat do të kenë edhe disa të drejta. Siç funksionon edhe në çdo vend tjetër. Rilindja urbane 2.0 është një program që do të zgjasë katër vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se shumë shpejt do të nisë reformimi i strukturës së kontrollit të territorit dhe Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Rama theksoi se ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe paralajmëroi masa të rrepta ndaj shkelësve të ligjit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›