E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese

26/01/2010  Përfundimi i mandatit të gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur Presidentin e Republikës Bamir Topi përpara detyrimit ligjor për të çelur procedurat për zëvendësimin e tyre. Gjykata Kushtetuese ka në përbërje 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Nga anëtarët aktualë të këtij institucioni, gjyqtarët Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza janë gjashtë anëtarët që do të zëvendësohen për shkak të përfundimit të mandatit të tyre. Thanza, ndonëse ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që prej muajit shkurt të vitit 2009, mandatin e tij e kishte plotësues të mandatit të ish-anëtarit Gjergj Sauli. Ky i fundit u zëvendësua për shkak të daljes së tij në pension, pasi në dhjetor të 2008-ës mbushi 70 vjeç. Paralelisht me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, kreu i shtetit shqiptar njofton edhe për dy vende vakante në Gjykatën e Lartë, konkretisht të gjyqtarëve Perikli Zaharia dhe Spiri Spiro, të cilëve u ka përfunduar mandati në tetor të vitit 2009. Sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Ata qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi. Ndërsa ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” shprehimisht thotë: “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit”. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit para se të zgjedhë tetë kandidaturat, duhet që të konsultohet edhe me Kuvendin, i cili jep pëlqimin e tij edhe me votë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Individët, që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duhet të paraqesin pranë kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin shoqërues. Përveç kopjes së diplomës, listës së notave, kopjes së titujve shkencorë, të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit, indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë, si dhe vërtetim nga institucioni ku ka punuar se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore, kandidatët janë të ftuar të paraqesin çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e tyre. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, sipas njoftimit të Presidencës, është data 15 shkurt 2010.
Dy anëtarë të tjerë
Ndërsa Presidenca dhe më pas Kuvendi ka nisur procedurat për zëvendësimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë, disa muaj më vonë këto dy institucione do t’i hyjnë kësaj procedure sërish. Kjo për shkak të përfundimit të mandatit edhe të dy anëtarëve të tjerë të këtij institucioni në muajin prill të këtij viti. Konkretisht, sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Lartë, pas zëvendësimit të Zaharisë dhe Spiros do të nisë procedura për zëvendësimin e dy anëtarëve të tjerë: Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala.
Mandatimi i gjyqtarëve
Sipas të dhënave të hedhura në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, dr. Fehmi Abdiu, që nga viti 1998 ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese; Kujtim Puto, në vitin 1998 është emëruar anëtar i kësaj Gjykate; Petrit Plloçi është anëtar i Kushtetueses që prej vitit 2001; Sokol Sadushi, nga viti 1998 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese; Xhezair Zaganjori ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës që nga viti 2003 dhe Admir Thanza u zgjodh anëtar i këtij institucioni në shkurt të vitit 2009.
Roli i Kuvendit
Si në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës duhet më parë të konsultohet me Kuvendin dhe konkretisht krerët e grupeve parlamentare të tij (në këtë rast PD dhe LSI). Kushtetuta dhe ligjet për organizimin e këtyre dy institucioneve kushtetuese parashikojnë emërimin nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Kjo do të thotë që kandidaturat duhet të pëlqehen nga mazhoranca qeverisëse, në mënyrë që ato të marrin miratimin e institucionit numër dy në vend.
Ripërtëritja
Neni 125 i Kushtetutës parashikon përtëritjen e një së tretës të përbërjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese një herë në tre vjet. Por meqenëse tre prej anëtarëve: Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Sokol Sadushi janë emëruar anëtarë me dispozitë kushtetuese, e cila përcaktonte mandatin e këtyre tre anëtarëve për 12 vjet, ka sjellë këtë çrregullim të respektimit të Kushtetutës pikërisht për këtë pikë. Nga 9 anëtarë që ka gjithsej ky institucion, 6 prej tyre do të zëvendësohen dhe 3 do të ushtrojnë detyrën deri në përfundim të mandatit: kryetari Kristo, anëtarët Tusha dhe Berberi.
Precedenti
Në qershor të vitit 2008 mazhoranca në Kuvend rrëzoi të pesë dekretet e Presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, me pretendimin se kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë me të. Pas kësaj, numri një i shtetit shqiptar ndoqi një procedurë përzgjedhjeje në mënyrë publike. Presidenti i Republikës ngriti një grup pune, i cili i sugjeroi këtij të fundit që në vlerësimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë të merren në konsideratë edhe disa kritere të tjera, ku përfshiheshin: arsimi i lartë juridik, vjetërsia në punë, masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›