E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Kërkoj ndjesë morale për Gërdecin, i mituri nuk e fal

26/01/2010  Ministri i Mjedisit për 4 orë në Gjykatën e Lartë. Bashkohen dy çështjet në një të vetme.
TIRANË- Vetëm ndjesë morale dhe aspak përgjegjësi ligjore apo penale nuk ka marrë dje Fatmir Mediu, i cili për herë të parë iu drejtua Gjykatës së Lartë për të qenë përballë të miturit Roxhers Durda në një seancë pajtimore. Ora 9 e mëngjesit e gjeti ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin aktual të Mjedisit në gjykatë së bashku me dy avokatët e tij dhe dy rojat personale, për të dalë prej andej vetëm në mesditë. Ndërkohë që dje në gjykatë ishin planifikuar për t’u zhvilluar dy seanca me të njëjtin person të akuzuar dhe dy persona të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit më 15 mars 2008. Ardian Visha dhe Petrit Serjani janë dy avokatët e Fatmir Mediut. Ndërsa dje Mediu respektoi për herë të parë Gjykatën e Lartë për të qenë i pranishëm në gjyq. Në procesin përballë Roxhers Durdës dhe familjarëve të tij, Fatmir Mediu ka dalë i humbur. Durda vetëm 12 vjeç nuk e ka falur Fatmir Mediun, edhe pse ky i fundit deklaroi se ndjen përgjegjësi morale dhe jo juridike. Pas kësaj seanca pajtimore të dëshmuat, Fatmir Mediu, shkon në një proces gjyqësor penal në Gjykatën e Lartë. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura duke qenë se ishte pajtimore. Mësohet se Fatmir Mediu i ka kërkuar falje të miturit Roxhers Durda, për gjithë atë që ndodhi më 15 mars 2008, por ka sqaruar se nuk është ai përgjegjës ligjor për të. Në fund të fjalës së tij i mituri nuk e ka falur. Roxhers Durda ka përmendur plagët që ka marr nga kjo tragjedi dhe humbjen e nënës së tij. Vendimi që dje mori i mituri i hap rrugën një procesi gjyqësor kundër Fatmir Mediut, por e gjitha kjo do të ndodh pasi të jetë zhvilluar edhe një seancë tjetër pajtimore me një tjetër të dëmtuar. Seanca e pajtimit zgjati jo pak, por katër orë për të kaluar më pas në një vendim të gjykatës. Trupi gjykues i drejtuar nga relatorja Arjana Fullani vendosi të bëjë bashkimin e dy dosjeve që janë paraqitur në gjykatë për të pasur më shumë ekonomi gjyqësore. Në muajin shkurt në datë 15 do të jetë seanca pajtimore mes Fatmir Mediut dhe të dëmtuarës tjetër akuzuese Alketa Hazizaj. Pasi janë dëgjuar palët e paraqitura personalisht në gjykatë dhe pasi nuk është arritur mes tyre pajtimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka konstatuar se në Gjykatën e Lartë janë të regjistruar dy çështje në të njëjtën datë 18.11.2009. Çështja me nr. 4 me palë të dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj kundër Fatmir Mediut për akuzën e “plagosjes së rendë nga pakujdesia”, si dhe çështja me nr. 5 me palë të dëmtuar akuzues Alekta Hazizaj kundër Fatmir Mediut për akuzën e “plagosjes së rendë nga pakujdesia”. Duke qenë se këto çështje qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë përpara të njëjtës gjykatë si dhe për faktin se të dyja këto çështje janë kundër të njëjtit person për të njëjtin fakt penal të pretenduar dhe meqenëse për shkaqet e mësipërme nuk dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes se tyre, në respektim të nenit 92/1/a të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi të bashkojë çështjet e mësipërme. Aktet e çështjes me nr. 4 dërgohen për t’u bashkuar me aktet e çështjes nr. 5 dt. 18.11.2009.
Mediu ndjesë morale
Fatmir Mediu u paraqit dje në Gjykatën e Lartë për të respektuar Kolegjin Penal si dhe personat e dëmtuar, të cilët e kanë akuzuar për plagosje të rëndë. Por ndërsa u fut në sallën e gjyqit dhe kërkoi ndjesë morale duke mos mbajtur përgjegjësi ligjore, Mediu u përballë me vendimin e të miturit për të mos e falur dhe për të kaluar në proces gjyqësor. Tashmë fjalën e ka gjykata, e cila do të duhet të bëjë kërkesë për heqje imuniteti pas një seance tjetër që do të bëhet më 15 shkurt.
Gërdeci i ndarë
Tragjedia e 15 marsit në Gërdec tashmë është shpërndarë në dy gjykata. Në Shkallën e Parë dhe në atë të Lartë. Në shkallën e parë po gjykohen 29 të pandehur për veprën penale të vrasjes masive dhe shpërdorim detyre. Ndërkohë që po në të njëjtën gjykatë janë dy procese të tjera të hapura nga familjarët për dëmshpërblim. Në Gjykatën e Lartë tashmë ka startuar procesi gjyqësor ku dy të dëmtuar janë vënë kundër Fatmir Mediut, duke e akuzuar për vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›