E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirohen sipërfaqet e zëna në plazhin publik, Rama: U rikthehet turistëve dhe qytetarëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për lirimin e sipërfaqeve të zëna në vendet turistike. Teksa në Theth po shemben objektet e ndërtuara pa leje, në Lungomaren e Vlorës sipërfaqe të caktuara janë liruar duke u bërë të disponueshme për qytetarët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama shkruan se kjo sipërfaqe e plazhit “publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve”

Gjithashtu, Rama ka inkurajuar të gjithë profesionistët e Vlorës “të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”.

“Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve, ndërkohë që i inkurajoj të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”, shkruan Rama në rrjetin e tij social, Facebook.

Përgjatë ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Bashkia e Vlorës rritjen e standardeve në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ndërkohë drejtorët e kësaj bashkie kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa ditën e djeshme kryeministri kërkoi edhe dorëheqjen e të gjithë kryetarëve të njësive administrative në vend.

Në takimin e zhvilluar ditën e djeshme me kryetarët e bashkive në qytetin e Durrësit, kryeministri solli në vëmendje aksionin e nisur ditët e fundit për ndërtimet pa leje, kryesisht në zonat turistike. Ai kritikoi autoritetet lokale se qëndruan symbyllur para këtyre zhvillimeve.

“Në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh, si rezultat edhe i përgatitjes për sezonin e ri turistik,” deklaroi kryeministri.

Duke iu referuar problematikave në bashkitë dhe njësive e tyre administrative, Rama tha se puna e tyre lë për të dëshiruar, ndaj drejtuesit e këtyre njësive duhet të shkarkohen që t’u jepet mundësia edhe të tjerëve të kontribuojnë për vendin.

“Këtu janë edhe disa nga kryetarët e forcave të tjera. Për sa i përket kryetarëve të Partisë Socialiste, gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të shkarkohen. Që të gjithë! Dhe t’u jepet mundësia, por duke iu dhënë mundësia edhe të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më të zotë se ata,” u shpreh Rama.

Rama theksoi se gabime të atilla nuk mund të tolerohen teksa Shqipëria sheh drejt 2030-s për t’u integruar në Bashkimin Evropian. 

“Votat që kemi marrë e kanë rritur diferencën sa jemi anëtarë partie dhe sa janë ata që e duan këtë parti në krye. Rritja e kësaj diference do të thotë që ne duhet ta rrisim hapësirën edhe për ata të tjerët që nuk na njohin por që na kanë dhënë votën duke na besuar se ne mund të bëjmë shumë më mirë. Shqipërinë për 2030-n nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime.

Gabime mund të bëjmë por gabime të reja, duhet të bëjmë të tjera gjëra. Dhe një nga gjërat e reja është që t’u japim një mundësi të re për këtë vend, dhe drejtorë e kryetarë njësish, nuk i fut të gjithë në një thes, por shumicën dërrmuese nuk ka nevojë ta shohësh se mjafton të shohësh lulëzojnë barërat e këqija në territoret e tyre për të parë se ata nuk janë në funksion”, tha Rama.

Sipas Ramës, IKMT-ja dhe policitë bashkiake janë 2 hallkat më të dobëta të cilat nuk bëjnë sa duhet kundrejt ndërtimeve pa leje. 

“Nga ana tjetër, IKMT-ja ka filluar të veprojë por qoftë në Theth, qoftë në Vlorë, qoftë edhe në territore të tjera dobësia e madhe e Inspektoratit për mbrojtjen e territorit, Tirana për shembull ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit të përtej kufijve të të bërit biznes dhe qoftë policitë bashkiake, janë realisht struktura shumë problematike”, deklaroi Rama para kryetarëve të bashkisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›