E Diel, 1 Nëntor 2026

Liroi Xhakjan, prokuroria: 3 vjet burg për Tabakun, 5 vjet larg posteve publike

TIRANE- Është zhvilluar sot seanca gjyqësore ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku, i cili akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre, pasi ka liruar nga burgu Ilir Xhakjen, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj. 

Organi i akuzës ka kërkuar sot dënimin me 3 vite burg për Tabakun për shpërdorim detyre, ndërsa kërkohet që për 5 vjet të mos kryejë asnjë funksion publik.

Pas dhënies së pretencës, trupi gjykues ka shtyrë për në 18 shtator vendimin për gjyqtarin Tabaku, seancë ku mbrojtja do të japë konkluzionet e saj.

Ish-gjyqtari akuzohet për moszbardhje të vendimit për lirimin e Xhakjas, duke cënuar rëndë interesat e prokurorisë. 

Në argumentimin e organit të akuzës përmendet se ish-gjyqtari Neritan Tabaku në momentin që nuk ka zbardhur vendimin ndaj shtetasit Ilir Xhakja apo edhe Jordan Findikut, ka lënë për një kohë të gjatë pezull gjykimin në apel të këtyre dy shtetasve.

Sipas prokurorit Julian Zonja, Tabaku ka vepruar me dashje.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›