E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lisen Bashkurti: Votat e AK shkuan për rotacionin

lisen-bashkurtiSekretari i Marrëdhënieve me Jashtë i Aleancës Kuq e Zi, Lisen Bashkurti konsideron se AK ka realizuar strategjinë e saj për rotacionin politik, pavarësisht faktit se nuk arriti të siguronte asnjë mandat në zgjedhjet e 23 qershorit.

I ftuar në studion e News24, përballë gazetares Nisida Tufa, Bashkurti uroi fituesit e zgjedhjeve, duke theksuar se në rast të mosmbajtjes së premtimeve nga ana e tyre, AK do të jetë një opozitë e qeverisë së re.

U uroj fituesve këtë votë plebishitare mbarëpopullore. AK do të mbështesë çdo hap që u shërben reformave ekonomiko-sociale, kulturore dhe atyre për ekonominë e vendit. Nëse qeveria nuk do të mbajë premtimet e bëra përballë elektoratit, AK do të jetë opozitë e saj, u shpreh Bashkurti.

Sipas tij, Aleanca Kuq e Zi nuk arriti pritshmëritë e saj në këto zgjedhje, por kjo nuk mund të konsiderohet një humbje.

AK nuk ka humbur sepse nuk ka qenë në pushtet. Ishte një forcë që lindi në rrugë. AK thjesht nuk arriti pritshmëritë e saj, por jo se solli humbje në vetvete. Ne kemi vepruar faktikisht jo në mënyrë korrekte duke patur parasysh që fryma në Shqipëri ka qenë frymë proteste. Strategjia jone ka qenë në favor të rotacionit. Asgjë nuk ka humbur në kuptimin e shërbimit ndaj rotacionit, tha Bashkurti.

Në lidhje me faktin që Aleanca Kuq e Zi nuk arriti të siguronte asnjë mandat në zgjedhje, zoti Bashkurti tha: Nuk u arrit asnjë mandat, por u morën rreth 12 mijë vota. Në kushtet e një kodi të disfavorshëm zgjedhor, një pjesë e mirë e mbështetësve të AK-së ka votuar për opozitën. Fryma e Aleancës, misioni politik i saj ishte shumë më i madh, më strategjik se sa votat që u numëruan në kuti për AK.

I pyetur për arsyet që dëmtuan Aleancën Kuq e Zi në këto zgjedhje, Bashkurti tha se AK nuk gjeti taktika të përshtatshme që frymën e saj në nivel kombëtar ta konvertonte në vota.

Taktika jonë për të dalë të vetëm ishte taktikë me dinjitet. Por kodi favorizon koalicionet dhe ngushton hapësirat për forcat e vetme. Ajo që ishte më e rëndësishme u realizua, që ishte rotacioni politik. Fitorja individuale e AK-së nuk ishte qëllimi madhor. Çdo votë e AK-së nuk ka shkuar në asnjë kuti për shtetasin Berisha dhe mazhorancën e paaftë të tij, por ka shkuar për rotacionin politik, u shpreh Bashkurti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›