E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e FRD-së, recete për humbje

Luis Tanushi

-Lista e FRD-së, recete për humbje  Dihej nga të gjithë, në radhë të parë nga FRD-ja vetë, që shanset më të mëdha për të fituar kjo parti i kishte në Tiranë, jo vetëm për faktin se lideri i saj, Bamir Topi, është një tiranas autokton, po dhe shumë nga drejtuesit e tjerë apo anëtarët e kësaj partie ishin apo kishin lidhje të forta me Tiranën. Dhe për këtë arsye pritej që lista e Tiranës të ishte një ekip ekselence, i përbërë nga figurat më të spikatura të FRD-së, figura të rëndësishme publike, politike apo akademike. Qenia e një ekipi të tillë përkrah liderit të saj, Topit, që dihej që do kryesonte listën, do t’i jepte shanse të mëdha për marrje votash FRD-së në Tiranë. Por, lista për Tiranën përfundoi si ajo shprehja “u mbars mali e polli një mi”. Të gjithë personat e tjerë pas Topit rezultuan njerëz të panjohur, anonimë, me një karrierë politike,profesionale dhe arsimore të nivelit nën mesatar. Ndërkohë, figura të spikatura drejtuese dhe publike të FRD-së, çuditërisht u laneë jashtë listës së bastionit ku partia pret të marrë maksimumin e votave të saj. I pari është nënkryetari i partisë, Aleksandër Biberaj, i cili për karrieren e tij politike, pozicionin në parti dhe nivelin e tij intelektual e meritonte të ishte në treshen e parë. Deklaratat dhe pakënaqësitë e Biberaj në lidhje me këtë janë bërë tashmë të njohura në media, kështu që s’po zgjatemi më tej me të. Personi tjetër që ra në sy për mungesën në liste ishte Afrim Krasniqi, sekretari politik i partisë, njeriu i penës së fortë dhe analitike, individ me vlera intelektuale dhe akademike, i shquar nga njerëzit me prodhimtarë të FRD-së. Por ndërsa siç u tha, këto dy personalitete nuk u përfshinë në listën e saj nga kryesia e degës së Tiranës duke i etiketuar si “veriorë” apo “tropojanë”, në liste u vu re mungesa e një tiranase autoktone, një tjetër emër i njohur publikisht në botën akademike dhe mediatike, Mirela Bogdanit, drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit në FRD. Bogdani, veç vlerave si person publik dhe atyre profesionale dhe e njohur për ekperiencën e saj unike në një parti perëndimore (Partinë Konservatore Britanike), pritej të ishte në këtë listë dhe si tiranase autoktone, me lidhjet e saj familjare dhe faresfisnore nga dy familje të vjetra tiranase. Jo vetëm kaq, por në një sondazh të zhvilluar nga gazeta “Shekulli”, në mars të këtij viti, Bogdani u rendit e dyta, më e votuara pas Bamir Topit nga qytetarët e Tiranës, me 25%. Nuk dihen arsyet pse Mirela Bogdani nuk u vu apo refuzoi të ishte në listën e Tiranës, por për kredencialet e lartpërmendura ajo do ishte një vlerë e shtuar për marrjen e votave në Tiranë. Ndërkohë ajo që përfaqëson gratë e FRD-së për Tiranën, duke u vënë e dyta në listë, pas kryetarit Topi,në mënyrë paradoksale është një zonjë nga Shkodra, e cila deri para pak kohësh përfaqësonte FRD-në në rrethin e saj, një biznesmene me një CV tepër modeste. Nuk dihet se si mund të marrë vota në Tiranë një femër e panjohur me pak ose aspak lidhje me Tiranën. Ndërsa numri 3 i listës, përfaqësohet nga një figurë kontroversiale në parti, që pikun më të lartë të karrierës së tij profesionale e ka pasur si drejtor burgjesh. Pra, duket qartë që në listën e FRD-së për Tiranën, ashtu siç ka ndodhur përgjithësisht me listat dhe në partitë e tjera, kanë dominuar kriteret klienteliste apo financiare në caktimin e kandidatëve, jo individët që përfaqësojnë vlera. Përbërja e listës së kandidatëve të FRD është ajo që pasoi një tjetër vendim, po kaq të diskutueshëm në strategjinë që po zgjedh kryetari Bamir Topi. FRD, gjithsesi është një parti e re, pavarësisht emrave të njohur që ka në drejtimin e saj. Duke synuar të marrë votat e djathta, sigurisht, kjo parti do të mund t’i shkaktojë shumë humbje dhe rrjedhje rradhëve të Partisë Demokratike. Por a do të mundet ajo që të marrë aq shumicë votash për të siguruar mbi dy apo tre deputetë? A do të mundet kjo parti dhe vetë lideri i saj, ish-Presidenti Bamir Topi të arrijë objektivin e tij për të rrëzuar Sali Berishën nga pushteti? Partia Socialiste i la të hapur derën Topit, për t’ju bashkuar në këtë rrugë, pavarësisht ideologjisë. Qëllimi ishte dhe është vetëm një, rrotacioni politik dhe largimi i Sali Berishës. Por, FRD nuk ju bashkua koalicionit të Partisë Socialiste, me argumentin se me të i ndan programi. Të njëjtin problem në fakt e kishin dhe e kanë edhe një grup i madh partish që ju bashkuan PS-së, në koalicionin 37-partish, por largimi i kësaj qeverie u vlerësua si misioni më madhor për këto zgjedhje. Duke qëndruar të vetëm, FRD-istët “rrezikojnë” të tradhtojnë kauzën e tyre, premtimin që u dhanë mbështetësve, qysh në orët e para të krijimit. Arsyet reale të mosbashkimit me PS-në dhe koalicionin shumëngjyrësh që kjo e fundit krijoi, i di vetëm lidershipi i FRD-së, por impakti që ky vendim do t’i sjellë partisë së re të ish-Presidentit do të duket më së miri pas 23 qershorit. Nëse FRD-ja do të arrijë të marrë një, dy apo tre deputetë, kjo realisht do të kënaqte një numër më të vogël njerëzish, se sa largimi i qeverisjes së Sali Berishës, synim që e kanë një pjesë e madhe shqiptarësh, bashkuar në koalicionin që udhëhiqet nga PS. Por, gjithsesi dyshuese mbeten arsyet se përse FRD-ja nuk ju bashkua PS-së, përsa kohë i bashkon një qëllim. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›