E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa respektin ndaj të parëve nuk mund të ndërtojmë të ardhmen

09-05-2013 / Nga Enver Memishaj

Në kujtim të Hysni Rexhep Totos, shërbestar i Vlorës

Gjithmonë duhen kujtuar ata burra që drejtuan dhe organizuan zhvillimin dhe përparimin e qytetit të tyre, të cilët punuan në kohë të vështira duke i dhëna vendlindjes gjithçka dhe që nuk kërkuan për vete asgjë, veç një page shumë të ulët.
Një nga këta bura që duhet kujtuar e nderuar është edhe Hysni Totoja, qytetar  dhe shërbestar i Vlorës. Në kohë lufte Hysni Toto i shërbeu Vlorës me pushkë dhe në kohë paqie nga viti 1945, deri sa dorëzoi shpirtin e tij të bukur, shërbeu me punë dhe përkushtim, në të gjitha frontet ku e hodhi koha. Kontributi tij për asnjëherë nuk u vlerësua si duhet, ai provoi edhe burgun.
Hysniu iku fare i ri nga kjo botë vetëm 49 vjeç, por la pas vetes tre djem, të cilët trashëguan virtytet më të mira të të atit, duke shkëlqyer në fushat e dijes ku u diplomuan dhe në shoqëri: Luani u bë artist i njohur, aktor, piktor dhe shkrimtar, po më shumë duhet vlerësuar për shërbimet e shquara si aktivist shoqëror, njerëz si Luani janë vlera të vërteta të shoqërisë.
Gudari u bë shkencëtar i njohur, personalitet shoqëror. Mjergulloshi shkëlqeu në shoqërinë vlonjate, duke ngritur më lart emrin e babait të tij. Ndaj këtyre personaliteteve që nuk kursyen asgjë, për vendin e tyre shoqëria ka detyrim t`i respektojë dhe nderojë. Ky artikull është një protestë, ndaj heshtjes së shoqërisë për vlerat njerëzore. 
***
Hysni Toto ka lindur në Vlorë më 17 mars të vitit 1918.  Në vendlindje mori arsimin fillor dhe të mesëm në Shkollën Tregtare, e njohur dhe e vlerësuar si vatër e dijes dhe vatër e kalitjes patriotike të djalërisë vlonjate dhe më gjerë. Për nevoja ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe me aftësitë dhe inteligjencën që e karakterizonte hapi në Vlorë një ofiçinë mekanike ku nxirrte të ardhurat për të përballuar jetën e familjes. Megjithëse në një gjendje jo të mirë ekonomike ai refuzoi propozimin e fashistëve italianë për të shërbyer në milici dhe për t’u anëtarësuar në Partinë Fashiste. Në këto rrethana u detyrua të largohet nga Shoqëria italiane “Pini” ku ishte i punësuar dhe punoi si mekanik ku të gjente punë, derisa, me një shokun e vet, mundi të rihapin një ofiçinë të vogël për riparim automjetesh. Me ndjenjën e patriotizmit të trashëguar nga i ati, Hysniu, u inkuadrua në Lëvizjen Antifashiste, përkrah djalërisë më të mirë të qytetit të tij. I përkrahur nga i ati e ktheu shtëpinë në bazë të luftës për liri.
Për aktivitet të shquar antifashist, në vitin 1942, u arrestua së bashku me të atin, u torturuan dhe u kërcënuan por qëndruan si burra dhe nuk i dhanë bazat e luftës dhe shokët e tyre antifashistë. I ati, Rexhepi, u internua në Porto-Romano, Durrës, nga ku u kthye vetëm pas kapitullimit të Italisë. Rexhepi dhe djali tij Hysni Toto pavarësisht kërcënimit të përditshëm të jetës tyre ata nuk u tërhoqën nga udha e lirisë së cilës i qenë futur me ndërgjegje të plotë. Gjatë pushtimit gjerman ata e shtuan aktivitetin e tyre dhe për këtë arsye në nëntor të vitit 1943 i ati, së bashku me shumë vlonjatë të tjerë, luftëtarë lirie, u internua për herë të dytë tashmë nga gjermanët. Atë e shpunë në Mathausen - Gusen -Austri, nga ku nuk u kthye më, duke dhënë jetën për lirinë e popullit.
Gjatë veprimtarisë antifashiste, nën presion e përndjekje të pushtuesve italian apo gjerman Hysni Totoja shërbeu me detyra të ndryshme në Myzeqe të Vlorës, por edhe në Durrës e Tiranë. Pas internimit të të atit, Hysniu nuk e ndërpreu luftën për liri. Bënte pjesë në Grupin Edukativ të lagjes Vrenes dhe, pas kapitullimit të Italisë, shërbeu si  oficer teknik i bazës së Lëvizjes Antifashiste të Vlorës. Për nevoja të luftës, ai fali edhe ofiçinën e tij të vogël. Tashmë, Hysniu e kishte kthyer shtëpinë e tij, në një nga bazat e fuqishme të luftës kundër fashizmit (Në regjistër, Fondin e Luftës Nacionalçlirimtare, nr.17 prot. faqe 8, nr. rendor 205 për pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, në brigadat partizane, komandat e vendit dhe aktivistë në terren, shënohet: Hysni Rexhep Toto, partizan nga muaji  jenar 1943 deri më 29.11.1944 në Zonën Vlorë - Myzeqe)
***
Pas çlirimit të vendit Hysni Totua punoi me të njëjtin hov dhe përkushtim si në kohë të  luftës. Ai kreu me ndërgjegje shumë detyra të ngarkuara, për të rimëkëmbur ekonominë e vendit të shkatërruar dhe e djegur nga lufta. Ai ka meritën se në dhjetor  të vitit 1944, ngriti Parkun Ushtarak të Automjeteve të Vlorës, ku u grumbulluan të gjitha automjetet private e shtetërore të Prefekturës.
Për tre muaj rresht drejtoi Autokolonat Shqipëri – Jugosllavi, të cilat çonin në Jugosllavi kripë dhe sillnin prej andej drithëra buke. Më pas dha njohuritë e tij si teknik në organizimin e rrjetit automobilistik të Qarkut të Vlorës. Duke parë rezultatet e arritura gjate ushtrimit të detyrës, aftësitë organizative dhe përkushtimin në punë si rezultat i dashurisë për Vlorën, autoritetet e vendit e emëruan në disa detyra të vështira si drejtor i Fabrikës së Lëkurëve, drejtor i Minieres së Bitumit në Selenicë, drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimeve, dhe nga 1 dhjetor 1947 deri më 3 janar 1949, ai ushtroi detyrën si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit  Popullor të Qytetit Vlorë, baras me detyrën e kryetarit të bashkisë në ditët e sotme. Në këtë detyrë Hysni Totoja, duke njohur hallet dhe problemet e qytetarëve të tij, falë shpirtit të tij humanitar, thjeshtësisë dhe përkushtimit, la mbresa të pa shlyera tek qytetarët e tij. Ai dinte të ndihmonte njerzit e varfër dhe të djegur apo të lënë fukara nga lufta. Qytetarët vlonjatë e respektuan dhe e kujtojnë sot me nderim për shërbimet e shquara që u bëri ai, në një kohë shumë të vështirë.
Pavarësisht nga shërbimet e shquara që Hysni Toto i kishte sjellë qytetit të tij me shpifje dhe cmira  ai u arrestua  në vitin 1949, dhe u mbajt nën arrest për tre muaj e gjysmë. U lirua nga salla e gjyqit. Ky ishte shpërblimi që komunistët vlonjatë i jepnin një djali dëshmori, luftëtari lirije dhe një shërbestari të Vlorës. 
Pas daljes nga burgu, u harruan shërbimet që Hysni Totua i kishte bërë vendit të tij duke e lënë gati një vit pa punë  dhe më pas ai punoi si punëtor krahu apo teknik në disa ndërmarrje të Vlorës. Vetëm në vitin 1952, me ndihmën e disa miqve të tij ai u emërua drejtor i Fabrikës së Zhveshjes së Orizit në Vlorë, por edhe këtej e shkarkuan shpejt dhe ai u detyrua të përballojë jetën në ndërmarrje te ndryshme të qytetit si nëpunës ose punëtor, ndërsa vitet e fundit të jetës së tij, deri sa vdiq, ka qenë Kryetar i Kolektivës së Tregtarëve Vlorë. Hysni Toto ishte shembulli i aktivistit shoqëror, duke qene vazhdimisht, i zgjedhur, si kryetar i Këshillit Popullor të lagjes Muradije, apo anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit Vlorë.
***
Pasi kishte përshkruar udhën e vështirë të jetës, gjatë kohës së luftës dhe më shumë në kohë paqeje, si dhe nga burgu, zemra e tij e bardhë, e lodhur pushoi së rrahuri në nëntor të vitit 1967, në moshën 49 vjeçare, duke lënë pas shembullin e një qytetari që mendoi më shumë për qytetin e tij se sa për shtëpinë e tij.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›