E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e moçme

Nexhat Demaku është zyrtari më i ri i zgjedhur për herë të dytë në krye të një komune në Kosovë.

Në moshën 31 vjeçare, ai është zgjedhur Kryetar i Drenasit, derisa më 15 nëntor të vitit 2009 është konfirmuar edhe për katër vjet si prijës i komunës.

“Nuk është e lehtë si për të rinjtë, ashtu edhe për më të vjetrit me qenë Kryetar komune, pasi konkurrenca në secilën parti është e madhe”, ka thënë Demaku për Express.
Demaku është 15 vjet më i ri se mosha mesatare e të gjithë kandidatëve për kryetarë të komunave të PDK’së, LDK’së, AAK’së, AKR’së dhe LDD’së. Për këtë arsye, ai u bën apel të gjitha subjekteve politike t’u japin hapësirë më të madhe kuadrove me moshë të re dhe të mos mbesin pengë e së kaluarës.

“Rinia në Kosovë është shumicë dhe partitë duhet të hapin derën për të rinjtë e të mos mbesin peng e së kaluarës. Edhe të rinjtë duhet të jenë më këmbëngulës dhe të kërkojnë hapësirë më të madhe nëpër paritë politike”, thotë Kryetari i Drenasit, i cili vjen nga radhët e PDK’së.

Rasti i Demakut është “sui generis’ në Kosovë, pasi për herë të parë një Kryetar Komune zgjidhet nga pjesa e popullsisë që është shumicë - rinia. Kjo e fundit është paraqitur si imazhi kryesor i reklamave të Kosovës nëpër botë.

Megjithëkëtë, paritë politike vazhdojnë t’u japin hapësirë të madhe kuadrove të moshave të shtyra për të marrë barrën e udhëheqësit.

Kështu, në zgjedhjet e fundit për Kryetar të Komunave të mbajtura në nëntori të vitit 2009, katër partitë politike kanë dëshmuar se nuk janë të hapura për liderët dhe kuadro në moshë të re.

Por, në këto parti as mosha e mesme nuk ka gjetur vend në listat e zgjedhjeve të 2009’ës.

Mosha mesatare e të 120 kandidatëve për kryetarë të komunave nga radhët e PDK’së LDK’së, AAK’së, AKR’së dhe LDD’së është 48-vjeçare.

Kjo moshë mesatare është në shpërpushje me strukturën e popullsisë në Kosovë. Sipas disa statistikave, më shumë se gjysma e kosovarëve është nën moshën 30-vjeçare.
Express ka siguruar ditëlindjet e kandidatëve të katër partive kryesore që garuan për kryetarë komunash në zgjedhjet e sivjetshme lokale.

Partia më e vjetër në Kosovë, LDK’ja prinë me vjetërsinë e kandidatëve për kryetarë të komunave. Mosha mesatare e 26 kandidatëve të saj është 52.46 vjet.

Por, as partia më e madhe në vend, PDK, nuk mund të krenohet se në gjirin e saj ka ofruar kuadro në moshë të re për të udhëhequr me komunat e Kosovës. Kjo parti ka garuar në 32 komuna dhe mosha mesatare e kandidatëve është 50-vjeçare.

Më të rinj në moshë sesa kandidatët e LDK’së dhe PDK’së janë ata të partisë së Nexhat Dacit. Mosha mesatare e tyre është 48 vjeçare, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur të ulet në ulësen e kreut të Komunës.

Ndërsa partia, e cila është dyfishuar në zgjedhjet lokale, AAK’ja, radhitet e katërta me moshë mesatare më të re të kandidatëve për kryetarë të komunave. Mosha mesatare e tyre është 45.35 vjet.

E pesta për nga mosha më e re mesatare e pretendentëve për të udhëhequr komunat radhitet po ashtu një parti, e cila nuk ka mundur të merr asnjë komunë në zgjedhjet lokale të vitit 2009. Është kjo AKR’ja e Behgjet Pacollit. Mosha mesatare e pretendentëve të AKR’së për të udhëhequr 16 komunat e Kosovës ka qenë 44-vjeçare.

Partia e Pacollit ishte bashkuar në gjysmën e komunave me LDD’në e Nexhat Dacit, por pa sukses. Nëse bashkohen edhe mosha mesatare e të dy partive, atëherë del se kandidatët e të dy partive kanë moshë mesatare 45.96.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta për shkak se Kosova nuk ka bërë regjistrim të popullsisë, shumica e tyre janë në moshë të re. Kurse më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës janë nën moshën 27-vjeçare.

Kryeplaku i zgjedhjeve lokale të 2007’ës është kandidati për Kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, Ismajl Muharremi i AAK’së. Ai i ka 72 vjet. Përkundër moshës së shtyrë, ai ka arritur të merr 4.3 për qind të votave të qytetarëve të kësaj komune.

Më i ri se Muahrremi është Kryetari aktual i Prizrenit, Ramadan Muja i PDK’së. Në shkurt të vitit 2009 do t`i mbushë 71 vjet. Deri atëherë do të dihet nëse do vazhdojë të udhëheqë qytetin e vjetër, pasi gara për Kryetar të Prizrenit përfundon në fund të janarit.

Kandidati më i ri nga radhët e partive politike që ka konkurruar për të udhëhequr një komunë vjen nga AAKja.

Nën flurimin e partisë së Ramush Haradinajt, Avdullah Gashi me vetëm 26 vjet ka tentuar të bëhet kryetar i Komunës së Artanës (ish-Novobërda). Ai nuk ka dalë i pari për Kryetar komune, por është më i riu në moshë përballë kandidatëve të katër partive më të mëdha për kryetarë të komunave.

Pas kandidatit të AAK’së radhitet me moshë të re Naim Ferati i AKR’së. Ai në moshën 27-vjeçare ka provuar të bëhet kryetari më i ri i Komunës së Ferizajt, ku është renditur i dyti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›