E Diel, 1 Nëntor 2026

Babadimri Hamid

Në sajën e Babadimrit janë dy lepurushë, një vajzë e veshur si princeshë dhe ata e bëjnë gati Reisën e vogël para se të bëjë fotografi së bashku me Babadimrin.

Derisa ajo rri ulur në prehrin e Babadimrit në sajën e kuqe të tij, nëna e Reisës, Zyrafetja, mundohet që ta bëjë vajzën e saj të qeshë.

Për fat të keq, përkundër përpjekjeve të nënës së saj, Reisa nuk qeshi. Fotografia kalendarike nuk doli ashtu siç dëshiruan prindërit e saj. Përkundër faktit që klientët nuk u ndanë të kënaqur me fotografi, Babadimri nuk u dha atyre një shans të dytë.

“Vajza ka dalë pak e mërrolur dhe duket e frikësuar. Është e vogël dhe ka frikë nga maskat. Megjithatë, ky kalendar do të mbetet kujtim i mirë për ne”, thotë Zyrafetja.
Babadimri me të cilin Reisa u fotografua dhe do ta mbajë në kalendar për gjatë 12 muajve të vitit 2010, e ka emrin Hamid. Ai nuk është një plak i thinjur, por është një djalë i ri llapjan, i quajtur Hamid.

Ai thotë se është punëtor i njërit nga dyqanet e fotografive që gjenden në Prishtinë. Sikurse edhe në vitet e fundit, edhe kësaj here, ai së bashku me trupën e tij ka zënë vend në njërën nga pikat më frekuentuese të Prishtinës. Tek hoteli Grand.

Në këtë vend ai ka mundësi më të madhe të fitojë nga fëmijët kalimtarë, të cilët nuk largohen pa bërë fotografinë për kalendar dhe e cila mund të kushtojë nga 4 deri në 6 euro.
Në sajën e kuqe, e cila tërhiqet nga një kalë i mbuluar me pelerinë të kuqe dhe toptha vezullues, ai thotë se ulen rreth 130 fëmijë për të bërë foton e Vitit të Ri.

Megjithatë, edhe Babadimri Hamid, duket të jetë zemërmirë, ashtu siç është edhe Babadimri i përrallave që jeton në Polin e Veriut.

Ai thotë se këtë punë më shumë e bën për t’i argëtuar fëmijët, sesa për të fituar.

“Është punë pak e lodhshme, sepse duhet të rrimë nga mëngjesi deri në mbrëmje duke bërë fotografi. Mirëpo është edhe kënaqësi, sepse kemi punë me fëmijë. Nuk është se kemi shumë fitim nga kjo punë”, thotë Hamidi.

Pak metra më lart, në sheshin Nëna Tereze është e vendosur një kështjellë najloni për të imituar kështjellën e akullt, ku sipas legjendës, aty rri Mbretëresha e Akullt.
Ajo është një vajzë e re, e veshur me këpucë me take të zeza, me pallto të bardhë dhe me qerpikë artificialë me ngjyrë të kaltër. Në këtë kështjellë po ashtu është edhe Babadimri.

“Hohoho, ejani te Babadimri dhe bëni fotografi. Kush fotografohet do të ketë gratis një çips dhe bonbone. Ejani te Babadimri, sepse ju do shumë, hohooh...”, kjo fjali ushton duke u përsëritur disa herë gjatë ditës, për të tërhequr vëmendjen a kalimtarëve të sheshit Nëna Terezë.

Ky zë që ushton është zëri i Babadimrit të Kështjellës së Akullt. Ai thotë se këtë vit janë më atraktivë sesa herët e kaluara, sepse kësaj here ata kanë Kështjellën. Ai tregon se gjatë ditës bëjnë rreth 130 fotografi.

Mirëpo, kolegu i tij, i cili e ka dyqanin mbrapa Teatrit, ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të tërhequr klientët. Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, në këtë vend ushton kënga e motrave Mustafa, Labit, Afrim Muçiqit, Ibrahim Tatlises...

Për të përballuar temperaturat e ulëta të dimrit, derisa qëndrojnë jashtë lokalit për të joshur fëmijët për të bërë ndonjë fotografi, tre djem dhe dy vajza të veshur si Babadimri, zgjedhin mënyrën më të lehtë për të ngrohur trupat e tyre. Nën tingujt e këngëve folklorike ata hyjnë në valle, ku për të bërë atmosferën sa më festive, atyre iu bashkëngjiten edhe persona të tjerë. Kështu, vallja rritet edhe më shumë, herë-herë duke dalë në rrugën kryesore.

Pronari i këtij dyqani, Fahredin Ethemi, thotë se volumin e lartë të muzikës e mban për hatër të myshterinjve.

“Po më ushton kryet nga kjo muzikë e lartë. Mirëpo nuk më lejojnë myshterinjtë me e ndalë. Ata dëshirojnë dajre dhe muzikë, sepse jemi në prag të festës më të madhe të vitit”, thotë ai.
Megjithatë, ai thotë se kriza ekonomike e rritur edhe më shumë, këtë vit ka ndikuar në uljen e kërkesave të prindërve për t’u bërë fëmijëve të tyre fotografi për kalendar.
“Në vitin e kaluar kemi pasur rreth 150 fëmijë në ditë që i kemi fotografuar, ndërsa këtë vit kemi vetëm deri në 120”, tregon Ethemi.

Ai thotë se për këtë sezon festiv ka punësuar 15 persona, të cilët i paguan nga 250 euro.

Të gjithë punëdhënësit thonë se për ata që dëshirojnë të punojnë në rolin e Babadimrit dhe gruas Babadimër, duhet të jenë të sjellshëm me fëmijë dhe para së gjithash të kenë fytyrë të bukur.

Legjenda e Babadimrit
Legjenda e Santa Clausit e ka origjinën nga një peshkop me emrin Shën Nikolla nga Myra që ka jetuar në shekullin IV. Ai u bë i famshëm për bujarinë e tij ndaj të varfërve në vendin ku tash gjendet Turqia e sotme. Shën Nikolla është portretizuar si një peshkop me mjekër dhe i veshur me rroba kishtare.
Babadimri ka emra të ndryshëm në vende rreth botës, duke përfshirë Atin e Krishtlindjeve, Santa Klaus, Shën Nikolla, Pere Noel, Sinterklaas etj.
Imazhin i Babadimrit me rroba të kuqe të rrethuar me të bardhë dhe u bë popullor në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada në shekullin XIX për shkak të ndikimit të rëndësishëm të karikaturës së punuar nga karikaturisti politik, Thomas Nast.
Një legjendë lidhur me Babadimrin thotë se ai tani jeton në Veri, në një tokë ku bora bie pa ndalur. Versioni amerikan i Santa Clausit thotë se ai jeton në shtëpinë e tij në Polin e Veriut. Ai jeton me gruan e tij, zonjën Claus, një numër të panumërt të kukudhëve magjikë dhe nëntë drerëve fluturues.
Në konferencën e fundit në Kopenhagë është thënë se në tri dekadat e fundit, si pasojë e ndryshimeve klimatike, numri i drerëve veriorë është zvogëluar për 60 për qind.

Viti i Ri Gregorian
Në vendet që përdorin kalendarin gregorian, Viti i Ri zakonisht festohet më 1 janar.
Tradicionalisht, kalendari romak fillonte ditën e parë të marsit. Megjithatë, në vitin 47 p.e.r. Jul Cezari e ndryshoi sistemin. Ai krijoi kalendarin julian. Ky kalendar është ndryshuar më vonë në vitin 44 p.e.r nga konsulli Mark Antoni. Më pas, në vitin 8 p.e.r. kalendari u ndryshua nga perandori Augutus Cezar dhe më në fund nga Papa Gregori XIII në vitin 1582, i cili solli kalendarin që përdoret edhe në ditët e sotme. Me këtë kalendar, viti fillon më 1 janar. Më pas, kjo ditë u shënua me një rëndësi fetare gjatë mesjetës dhe shekuj më vonë.
Me zgjerimin e kulturës perëndimore në pjesën tjetër të botës gjatë shekullit të njëzetë, data 1 janar u bë universale për nga natyra, madje edhe në vendet në të cilat i kishin festimet e tyre të veçanta për vitin e ri, siç është Kina dhe India.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›