Listat, borxhliu 10-vjeçar në dyqanin e lagjes
është e gjatë lista e borxhlinjve në një pjesë të madhe dyqanesh në kryeqytet. Përjashtim nuk bën as qendra dhe as periferia. është aq e gjatë kjo listë, sa do të mbështillte gjithë selinë e Kryeministrisë, ndërsa kreu i qeverisë flet për rritje ekonomike dhe uljen e varfërisë. Nivelin real të varfërisë e tregojnë fare qartë “defterët” që mbajnë poshtë banakut shitësit kryeqytetas, sidomos ata të dyqaneve të shumicës, që tregtojnë produkte ushqimore. “Na janë bërë si librat e vdekjes”, bën shaka njëri prej shitësve, duke nxituar të thotë se nuk ka më asnjë shpresë se do të lahet ndonjëherë nga të gjithë klientët, borxhlinj të tij. Madje, kur i pyet nëse japin ushqime me listë, të shohin sikur vjen nga ndonjë botë tjetër dhe menjëherë tregojnë fletoret me buzët e ngrëna. I përplasin ato fort mbi tavolinë, sikur të shfryjnë inate të vjetra dhe hakërrehen duke thënë: “shikoje po deshe”.
Në njërën nga këto pika shumice, pranë rrugës “Myslym Shyri”, gjendet që prej më shumë se dhjetë vjetësh edhe emri Halim S. Pronarët e këtij biznesi kërkojnë që mbiemri i tij të mos bëhet publik, pasi siç pohojnë edhe vetë është një njeri i urtë e me sedër, ndonëse shumë i varfër. 49-vjeçari jo vetëm që nuk ka mundur dot që për një dekadë me radhë të shlyejë borxhet e bartura në këtë dyqan, por tashmë atij nuk i dihet më as vlera e borxhit që ka aty. është burrë shumë i mirë thonë për të bashkëpronarët e pikës së shumicës. Ata e njohin që nga fëmijëria Halimin. Përpara se të prishej kombinati ka qenë atje punëtor. Madje u martua si i thonë ata “brenda kolektivit”. I lindën tre fëmijë që tani janë në moshë shkollore dhe ende nuk mund ta ndihmojnë për të shtuar të ardhurat e familjes. Tashmë punon si roje nate në një rrobaqepësi private dhe fiton rreth 17 mijë lekë të reja në muaj. Pronarët e pikës së shumicës thonë se ka shumë vite që e ndihmojnë dhe çdo muaj sa herë që Halimi merr rrogën, bën ndonjë pagesë, por pa mundur që të shlyejë të gjithë detyrimin, pasi borxhi kap borxhin. “Për ne është bërë normale kjo situatë dhe tani nuk e dimë më as se sa para borxh ka tek ne, se e dimë që nuk ka të na paguajë jo se nuk do”, thotë Shpëtimi, bashkëpronar i këtij dyqani. Por Halimi nuk është borxhliu i vetëm që nxin listën e zezë të borxheve nëpër dyqane. Tregtarët pohojnë se mes klientëve që nuk arrijnë dot të paguajnë shumat e blerjeve që bëjnë janë sidomos gra të veja, apo të divorcuara që detyrohen të rrisin të vetme fëmijët. Por, nuk mungojnë as të moshuarit, kryesisht ata që jetojnë të vetmuar dhe nuk mbështeten nga fëmijët. Por këto kohët e fundit, në lista është shtuar edhe një tjetër kontingjent, ai i të punësuarve me rroga të ulëta. Historitë janë nga më të ndryshmet dhe secili vuan në hallin që i ka rënë për të mbijetuar në një kohë çmimesh të çmendura. Shumë tregtarë thonë se nuk japin më ushqime me listë, në rast se borxhi i kalon 20 mijë lekët e reja. “Ka rrezik të falimentojmë vetë”, shprehet Sadetja, një mesogrua që i rri zarzavateve me shishen e ujit në dorë që të mos thahen. Ajo shton se edhe vetë janë bërë për të marrë me listë, pasi nuk i lënë as taksat “të ngrenë kokën”. “Sa qeveria sa bashkia, të gjithë lekët duan po ne ku t’i gjejmë”, thotë ajo duke tundur me ritëm shishen e ujit mbi një tufë sallate jeshile. E ndërsa punon nga mëngjesi në mbrëmje përpiqet të tregohet e kujdesshme që të mos e marrin përpara borxhet e borxhlinjtë, që mes urisë dhe dëshirës, zgjedhin bukën e lipur, për të mbijetuar.
#