E Diel, 1 Nëntor 2026

30% e femrave paguhen njëlloj me burrat

Studimi demografik: Mbi 80% e femrave pyesin bashkëshortët se si do të shpenzohen paratë që kanë fituar

Konkurrenca mes burrave dhe grave në vendin e punës, lidhur me fitimet dhe të ardhurat që grumbullon secili në familje, janë përfshirë në studimin demografik dyvjeçar kryer nga Shëndeti Publik dhe INSTAT. Sipas këtij studimi, gati 309 për qind e grave marrin pothuajse të njëjtën pagesë dhe sjellin të ardhura në të njëjtën masë sa edhe bashkëshortët e tyre. Nuk përjashtohen rastet kur ato mund të sjellin edhe më shumë para.

Por shumica e tyre, mbi 80 për qind, këshillohen dhe konsultohen me burrat për shpenzimet që do të kryejnë, si dhe për mënyrën se si do të konsumohen paratë. Shqetësues paraqitet në këtë studim mentaliteti i mbi 20 për qind të grave shqiptare që mendojnë se dhuna në familje është e justifikuar, madje dhe ajo fizike kur bëhet fjalë për kujdesin e fëmijëve. Sipas tyre, nëse ato i kanë neglizhuar fëmijët, burri ka të drejtë t’i godasë. Po aq të trishtueshme janë dhe mbi 50 për qind e përgjigjeve të cilat raportojnë se gjysma e grave në vend nuk kanë dëgjuar për ekzaminimet që kontrollojnë shëndetin e tyre dhe parandalojnë tumoret e sferës femërore, si kanceri i gjirit dhe tumori i qafës së mitrës. Sipas studimit demografik, publikuar pak kohë më parë, edhe pse jemi në vitin 2010, ende shumica e grave, dhe në mënyrë të veçantë e burrave në vend, nuk kanë dijeni lidhur me mënyrën e mbrojtjes kundër sëmundjes seksualisht të transmetueshme HIV/AIDS.

Shëndeti i të rriturve

Rreth 19 për qind e grave në Shqipëri, nga mosha 15-49 vjeç, vuajnë nga anemia, ndërkohë që 39 për qind e grave të kësaj moshe janë mbipeshë dhe vuajnë nga obeziteti.

Rreth 87 për qind e grave dhe 80 për qind e burrave hasin vështirësi në aksesimin e kujdesit shëndetësor.

Rreth 50 për qind e grave nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për pap testin, ndërkohë që 77 për qind e grave shqiptare nuk e dinë se çfarë është mamografia. Të gjitha këto ekzaminime kryhen periodikisht për të mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore apo për të kapur në fazat e para zhvillimin e tumoreve.

Plot 43 për qind e meshkujve shqiptarë konsumojnë duhan dhe 28 për qind e tyre vuajnë nga presioni i lartë i gjakut. Vetëm 20 për qind e femrave vuajnë nga i njëjti shqetësim.

Fuqizimi i gruas

Janë rreth 30 për qind e femrave shqiptare që fitojnë afërsisht të njëjtën pagesë sa edhe bashkëshorti. Kjo kategori sjell në shtëpi të ardhura dhe fitime po aq sa sjellin edhe burrat. Plot 83 për qind e tyre vendosin së bashku me bashkëshortët e tyre se si do të përdoren të ardhurat e gruas, ndërkohë që rreth 22 për qind e grave në moshën 15-49 vjeç, bien dakord se një burrë është i justifikuar ta godasë ose ta rrahë gruan në rast se ajo neglizhon fëmijët.
HIV/AIDS

Edhe pse jemi në vitin 2010, vetëm 74 për qind e grave dhe 83 për qind e meshkujve janë në dijeni se njerëzit mund ta zvogëlojnë rrezikun e infektimit nga HIV/AIDS duke përdorur prezervativ çdo herë që kryejnë marrëdhënie seksuale. Rreth 20 për qind e meshkujve kanë kryer marrëdhënie seksuale në 12 muajt e fundit me një partner me të cilin/cilën nuk janë të martuar dhe nuk bashkëjetojnë. Vetëm 28 për qind e femrave dhe 20 për qind e meshkujve kanë njohuri të plota rreth HIV/AIDS dhe mënyrat e parandalimit, si dhe rrugët e transmetimit të virusit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›