E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat dhe pranimi i humbjes nga ana e PD-së

Ylli Manjani/Nënkryetar i LSI-së

-Nëse shohim listat shumëemërore për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mund të vëmë re qartësisht të pozicionuar një Parti Demokratike në krizë kundër të gjitha partive të tjera. Nuk është pra e vërtetë, që kemi një koalicion kundër apo përballë një tjetri, por kemi një parti që ka përthithur aleatët në listën e vet kundër një koalicioni partish dhe disa partive të tjera që garojnë më vete. Në vlerësimin tim paraprak, ideja e shkrirjes së partive në një listë të përbashkët me partinë më të madhe, është qartësisht në dëm të kësaj të fundit dhe në tërësi, në dëm të maksimalizimitt të rezultatit elektoral. Koalicionet, sipas logjikës së këtij sistemi zgjedhor, kanë si qëllim mbledhjen e partive që të sjellin vota në koalicion dhe jo forcimin e mandateve të partisë së madhe. Sepse mandatet e partisë së madhe, si e tillë, nuk mjaftojnë për të qeverisur.

E parë në këtë këndvështrim, Partia Demokratike praktikisht e ka pranuar humbjen në zgjedhje, e ka pranuar madje me një kosto jo fort të vogël, sepse grupi i saj i ardhshëm parlamentar ka 8 jo demokratë, që nuk janë të pavarur, por ka 8 përfaqësues politikë, që sot për sot janë luajalë me PD-në. Nuk është e thënë që këta të jenë përjetë të tillë. Sado që kjo është, dhe mbetet një problem i PD-së, mendoj se këto lëvizje japin mesazhe të gabuara në politikë dhe mbi të gjitha dobësojnë ndjeshëm reagimin e opozitës së ardhshme parlamentare. Maksimalizimi i votave, në një koalicion është një logjikë politike dhe matematike e njohur tashmë.

PS-ja e vetme e provoi disa herë dhe dështoi. Nga ana tjetër, LSI-ja e vetme, qëndroi, por me një efiçencë të përgjysmuar. Përçarja e votës së majtë mbajti 8 vite në pushtet PD-në. Kjo solli edhe ndërtime aleancash të çuditshme në kuptimin politik, aleanca të cilat sollën jo pak pështjellime. Të gjitha këto fakte çojnë në mënyrë të natyrshme tek ideja që partitë e të njëjtit spektër të bashkohen në një logjikë politike të përbashkët për të maksimalizuar potencën elektorale të secilës parti veç e veç dhe të së majtës në tërësi. Realiteti politik është dinamik dhe ky realitet dikton në mënyrë të pashmangshme reagime politike që të cilave nuk mund t’u shmangesh.

Në kushtet kur një parti në minorancë, qeveris për 8 vite me radhë thuajse me një njëjtat fytyra ( të paktën me të njëtitn kryeministër) vjen e natyrshme nevoja për rotacion. Kjo nevojë bëhet e pashmangshme kur konstaton se të gjitha pushtetet dhe i gjithë shteti përqendrohet në dorën e Kryeministrit, të cilin edhe sikur ta gjykosh ftohtë dhe pa asnjë emocion politik, konstaton lehtësisht se mishëron një sjellje institucionale dhe politike që është e papranueshme në demokraci.

Nëse do të bënim një këqyrje më të afërt, komenti që mund të bëj për listën e partive të tjera të koalicionit (përfshi PS-në) është aq sa më lejon hapësira etike, si parti në aleancë, dhe logjika e përbashkët e fitores së zgjedhjeve. Mendoj se Fakti që ka debat, madje të fortë për kandidimin, është shenjë e mirë që partia ekziston. Po të mos kishte debat do ishte shqetësuese. Debati për listat e kandidimit tregon se ardhja në qeverisje e partive ku ka debat, është ngjarje e sigurt.

Pjesa tjetër, pastaj, që ka të bëjë me reagimet e individëve është një çështje që më së shumti i takon vetë individëve dhe partive ku ata bëjnë pjesë. Megjithatë ka vend për të bërë dallim etik dhe moral nga njëri rast në tjetrin, dallim i cili ka të bëjë me standardet e të bërit politike në vend dhe jo shumë me interesat e individëve. Kështu p.sh për mua rasti “Islami” dallon shumë nga rasti “Malaj”. Të dy e kritikuan Edi Ramën dhe e kritikojnë, por reagimi është krejtësisht i ndryshëm. Nëse Malaj mendon të "ndeshet" burrërisht me Edi Ramën, këtë nuk e bën detyrimisht kundër socialistëve.

Ndërsa Islami ka pranuar që nuk ka njeri që ta votojë dhe kërkon të luftojë edhe Ramën edhe socialistët, me duart e Berishës. Po kështu, këtu është rasti të theksoj se edhe në në sjelljet e 8 viteve të fundit të z. Nano nuk shoh asnjë logjikë politike. Për fat të keq ka vetëm shkumë, e cila ka tentuar të dëmtojë Edi Ramën, por në fakt kjo gjë vetëm e ka forcuar atë në krye të PS-së. Besoj se edhe Ben Malaj e ka të qartë se me Fatos Nanon në krah (jo në krye siç thotë Fatosi) është njësoj sikur të jetë vetëm. Sidoqoftë, listat nuk janë përcaktuese të rëndësishme në zgjedhjet politike më këtë sistem zgjedhor. Ky sistem favorizon partitë dhe kryetarët dhe e mbyll procesin politik në këto dy nocione, për fatin e keq. Kjo është një prej reformave esenciale që duhet ta ndërmarrim pas këtyre zgjedhjeve, pra reformimi i sistemit politik në tërësi dhe jo vetëm sistemit zgjedhor. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›