E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK përkujtoi Fehmi Agani, një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët

08-05-2013 / Gazeta 55

Lidhja Demokratike e Kosovës, në përvjetorin e vrasjes, e përkujtoi dje Fehmi Aganin, nënkryetarin e saj shumëvjeçar, intelektualin dhe veprimtarin e shquar politik e kombëtar, në një akademi komemorarive, në Teatrin Kombëtar, ku ishin të pranishëm shumë zyrtarë e aktivistë të LDK-së, intelektualë të profileve të ndryshme, familjarë dhe miq të prof. Aganit.
Për figurën e profesor Aganit prej politikani, intelektuali dhe veprimtari politik folën kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe akademik Pajazit Nushi.
Kreu i LDK-së Isa Mustafa, pasi foli për biografinë e prof.Aganit, si ligjërues shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës, foli për veprimtarinë politike të Aganit dhe kujtoi veprimtarinë e tij si nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se pjesëmarrjen aktive të Aganit në përgatitjen e akteve madhore e kushtetuese të vendit tone, në dekadën e fundit të shekullit XX, si: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit dhe Referendumi për Pavarësi. Musta theksoi gjithashtu se prof. Agani kishte rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, të dala pas zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të vitit 1992, të cilat vunë themelet e shtetësisë së Kosovës, duke organizuar sistemet e pavarura të arsimit, shëndetësisë, sportit dhe të ekonomisë, të cilat, në rrethana thuajse surreale, për shkak të okupimit klasik serb, funksiononin falë organizimit të mirë të brendshëm dhe vetëdijes nacionale dhe humanitetit të popullit të Kosovës.
Isa Mustafa, duke folur për virtytet e larta të prof. Fehmi Aganit, tha se ai do të kujtohet gjithmonë si një njeri i dashur, i urtë dhe bashkëpunues, si një njeri me kulturë të gjerë, me cilësi të rralla të veprimtarit politik e të pedagogut, të studiuesit të zellshëm e të publicistit të mprehtë, i cili, kudo që punoi, kultivoi një model të tijin të komunikimit, një model të komunikimit shumë-shumë të qytetëruar, kur e kur mjaft spiritoz.
Po ashtu, ai tha se prof. Agani kishte sens të jashtëzakonshëm të gjykimit politik e diplomatik, ashtu siç kishte sens edhe për veprim konkret e punë në terren. “Duke ndërthurur këto cilësi, gjatë viteve të Lëvizjes sonë të madhe për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, ai u bë figurë shumë e dashur për gjithë popullin shqiptar, ndërsa në arenën ndërkombëtare fitoi respekt të madh. Siç e theksonte edhe Presidenti Rugova, Profesor Agani “e rrahu gjithë tokën e Kosovës në veprim të vazhdueshëm për t’i mbrojtur e mbajtur njerëzit. Ai i rrahu të gjitha qendrat evropiane e deri në Shtëpinë e Bardhë, Vatikan për të afirmuar dhe mbrojtur çështjen e Kosovës”, tha Mustafa. Ai theksoi se këtë frymë të filozofisë e të konceptit politik e nacional, këtë frymë të intelektualit me vlera të larta humane, prof. Agani e dëshmoi edhe në ditën kur u ra në dorë policëve të Millosheviqit, për t’ua shpëtuar jetën disa të rinjve shqiptarë, të cilët po i priste toga e ekzekutimit. “Mbase, ky ishte akti i fundit i veprimit të tij politik konkret për Kosovën dhe popullin e saj. Porse, sa herë që do të flitet për historinë e shtetbërejes së Kosovës, ky akt monumental vetëflijimi për shpëtimin e jetës së bashkëkombasve më të rinj, ky akt i datës 6 maj 1999, do të kujtohet si një moment që përherë do të na bëjë krenarë që i takojmë një etnie, një fryme dhe një vendi që jep njerëz të tillë, të mençur e të urtë, të cilët e duan tjetrin jo si vetveten, po edhe më shumë sesa vetveten, dhe këtë e dëshmojnë edhe duke dhënë jetën e tyre. E, i tillë ishte Profesori ynë, Akademik Fehmi Agani, jeta dhe vepra madhështore e të cilit do të jetë përgjithmonë burim frymëzimi për brezat e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, theksoi Mustafa.
Ai citoi Presidentin Rugova, i cili thoshte se “Profesor Agani ishte vizionar i madh. Kishte koncepte të qarta demokratike dhe vizionin për ardhmërinë nacionale, që populli i Kosovës i pavarur të gjejë vendin e vet në mesin e kombeve të lira perëndimore e ndërkombëtare. Kishte vizion emancipues për kombin shqiptar në përgjithësi, që përmes pavarësisë së Kosovës të zgjidhej çështja shqiptare”.
Kryetari Isa Mustafa u zotua se “Lidhja Demokratike e Kosovës, me frymën dhe konceptet nacionale e politike të këtyre njerëzve të mëdhenj të Kosovës, të këtyre dijetarëve e humanistëve të pashoq, do të vazhdojë të punojë për jetësimin e testamentit të tyre intelektual e politik për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike në plot kuptimin e fjalës”. “Lidhja Demokratike e Kosovës do të punojë për një Kosovë perëndimore, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilat Kosova ka krijuar lidhje të fuqishme pikërisht me meritën dhe vizionin e LDK-së dhe të prijësve të saj”, nënvizoi në fund të fjalë së tij Kryetari i LDK-së Isa Mustafa.
Me fjalë të zgjedhura për figurën e Fehmi Aganit foli edhe akademik Pajazit Nushi, i cili theksoi se prof. Agani do të mbetet shëmbëlltyrë e idealeve të lirisë njerëzore e kombëtare të shqiptarëve. Ai tha se nëpërmjet këtij manifestimi përkujtimor përmbushet një detyrim kolektiv për të shprehur nderimin, respektin dhe mirënjohjen më të thellë për veprën dhe sakrificën e jetës së Aganit. ”Ky përkujtim kënaq edhe një dëshirë të gjithëmbarshme, ndajmë breza e përjetime që do të na plotësojnë aktivitetin e të ndjerit Fehmi, i cili do të mbetet shëmbëlltyrë e përkushtimit ndaj mendimit shkencor, idealeve të lirisë njerëzore e kombëtare të shqiptarëve dhe jo vetëm të tyre”, theksoi Nushi.
Në fund të akademisë përkujtimore u shfaq një program me pika të zgjedhura muzikore, të interpretuara nga Lule Elezi, Venera Mehmetagaj dhe Antonio Gashi. Më 6 maj 2004, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë, e kishte dekoruar Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin "Hero i Kosovës", për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“QIK”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›