Listës së barnave i shtohen 16 alternativa të reja
Zgjidhet ngeçi i krijuar mes grosisteve dhe Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin e tregut me medikamente të rimbursueshme. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili shprehet se grosistet tashmë e kanë gati listën e re të barnave. Absolutisht kemi një listë të pasuruar me barna të reja. Janë më shumë se 16 alternativa të reja që i shtohen listës së barnave, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion këtë vit rreth 5.3 miliardë
lekë për ilaçet e rimbursueshme. Ndonëse synohej të shtoheshin më shumë artikuj nga të cilët të kishte edhe më shumë përfitues, këtë vit janë shtuar vetëm 16 artikuj që sipas ministrit të shëndetësisë janë alternativa për patologji që prekin një numër të madh pacientësh. Pak kohë më parë distributorët që hedhin në treg ilaçe të rimbursueshme kishin kërcënuar se do të linin tregun bosh, për shkak se lista e këtyre medikamenteve nuk ishte miratuar ende dhe se rritja e euros kundrejt lekut po i nxirrte bizneset e tyre me humbje. Lista e re me medikamente të rimburshme pritet të miratohet në mbledhjen e radhës të qeverisë.
Last Updated on E Enjte, 04 Shkurt 2010 21:45