Livanda e Gramshit, thatësira, çmimet dhe mungesa e punëtorëve godasin fermerët

Livanda e Gramshit mbetet një ndër bimët medicinale më të kërkuara qoftë në tregun e brendshëm edhe atë të jashtëm. Prej vitesh banorët e zonës së Kushovës, Skënderbegasit në Gramsh, kulturën e livandës e kanë kthyer si një ndër burimet e tyre financiare. Sipas fermerëve të zonës ky vit nuk ka qenë një vit i mbarë i livandës, pasi thatësira ka ulur rendimentin dhe cilësinë e saj.
“Livanda këtë vit është e dobët nga thatësira, domethënë u bë para kohe nuk e ka prodhimin e këtyre viteve që ka qenë, çmimi as nuk bëhet llaf fare si ti dojë qejfi atit tregtarit të madh e vendos ai çmimin se vejmë dot ne. Vështirësitë, do prashitjen do plehun, do korrjen, do shirjen, do sitjen derisa t’ia japësh të gatshme atit. Livanda e do që nga mbillja, e kemi të trashëguar që nga koha e monizmit e kemi vënë me shqyerje, Livanda origjinale e kemi vënë në arë dhe 3 vitet e para shumë pak të jep, 1 fije gjer sa të bëhet kurora. 3 vitet e para të jep shumë pak, më pas të jep prodhim, do prashitjen 3 herë në vit, do pleh, ndërsa për vaditje ne s’jemi prandaj është livanda origjinale se është veçim nga natyra dhe plehra nuk të rekomandojnë që të hidhet sepse nuk ta marrin. Cilësia varet nga koha, nga mbledhja“, tha fermeri.
“Nuk ka qenë mirë, ka qenë dobët, nuk e di a donte shi thatësira. Un po bëj shumë vite që në fillim edhe kam 1 hektar“, tha një tjetër fermere.
“Unë kam 2 dynym e gjysmë Livanda, tani siç e prura nga ana po e trazoj e kthej e rrotulloj që të thahet më pas pasi ta shkoq, do ta sit, e do ta fus për thasë e më pas për ta shitur kësmet. Ky vit ishte i mbarë po i ra kjo vapa e këputi, të shikosh përtej nuk ka livanda, ka një numër të ulët. Është shumë e vështirë pasi kjo e do punën në vapët“, theksoi një fermer.
Një shqetësim i fermerëve të zonës mbetet dhe çmimet e vendosura sipas tregtarëve, dhe ulja e fuqisë punëtore, ndonëse fermerët paguajnë punëtorin 30 mijë lekë të vjetra për 8 orë pune, sërish gjetja e tyre është tepër e vështirë.
“Ka pasur vite që e kemi shitur 4 mijë lek kg, 350 kg, 250 kg, 150 kg, 120 kg vjet. Po nuk na del punëtori sot do 30 mijë lek të vij të punojë 8 orë punë, bëjmë sa të mundemi vet“, tha një fermer.
“Po çmimi me 1 mijë lekë po vete, neve nuk e përballojmë. Vetë po sharrojmë atje sot mora një punëtor nga bregasi se jam e vetme, një punëtor paguhet me 30 mijë lek dita, kanë ikur dhe nuk ka njerëz“, tha një fermere.
“Deri vitin e kaluar e kemi shitur me 150, ndërsa tani nuk thonë fare. Un siç u prish sistemi dhe jam marrë më livandën e kam tek ajo kodra atje lart, më parë ka qenë një çmim me 350 lekë, tani vajti 250 tani viti që kaloj vajti me 150 lekë kg“, theksoi një fermer.
Ndërsa Drejtoria e Eksportit dhe Mbrojtjes së Bimës në Qarkun e Elbasanit, në një prononcim jashtë kamerës për RTSH, u shpreh se nga Janari-Korrik të 2025 janë eksportuar 12 tonë të bimës medicinale të livandës, kryesisht në shtete si Kanadaja-Lituania dhe Gjermania. Ndërsa Gramshi mbetet një ndër qytetet me kultivim më të lartë të bimës medicinale të livandës kryesisht në fshatra si Kushov dhe Skënderbegas.
Gazetar: Enes Molla
/rtsh.al/