Liverpool bën një ndalesë të papritur, mundet nga Southampton

Liverpool ka pësuar humbjen e dytë në Premier League, teksa ish-sulmuesi i Reds, Danny Ings i dha Southampton një fitore të befasishme, 1-0 në St Mary’s. Skuadra e trajnerit Klopp, u detyrua të niste ndeshjen me një mbrojtje të improvizuar, e cila u ndëshkua pas 111 sekondash lojë nga Ings, që shënoi golin e 50-të në Premier League.
Liverpool iu desh të priste minutën e 75-të për të bërë një goditje për të qënë në portën kundërshtare me anë të Mane, por që nuk kishte saktësinë e duhur. Nuk është e tepërt të thuash se treshja e sulmit te skuadra e Reds ishte me pushime në këtë sfidë. Vendasit u treguan të qetë gjatë gjithë sfidës dhe arritën të administrojnë me sukses rezultatin, duke festuar në fund për tri pikët.
Kjo humbje e Liverpool i hap mundësinë Manchester United për të kapur vendin e parë, qoftë dhe me një barazim në ndeshjen me Burnley.