E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Liverpuli hap “dyert e ferrit” për Djajtë e Kuq

Ka rezultuar me të vërtëte një simfoni e hidhur përballja e së dielës midis Liverpulit dhe Mançester Junajtid, pasi “të kuqtë” e trajnerit Jurgen Klop kanë dhuruar spektakël përballë rivalëve të tyre historikë në takimin e vlefshëm për javën e 26-të të Premier Ligës Angleze. Në fakt, përballja e luajtur në mbrëmje në Stadiumin mitik “Enfilld Roud”, ka qenë një ndeshje me dy tablo, teksa, përkundër asaj që sugjeron rezultati përfundimtar i saj, 45 minutat e para kanë dhuruar vetëm një gol, atë të realizuar dy minuta para fundit, nga Kodi Gakpo, që vepron dhe godet bukur në zonë, duke mposhtur mbrojtjen dhe portierin e Mançester Junajtid.

Por fillimi i 45 minutave të dyta ka parë dyert e ferrit të hapen për “Djajtë e kuq”, sepse menjëherë me fillimin e tyre, në të 47-tën, Darvin Nunjez dyfishon shifrat për Liverpulin. Vetëm 3 minuta më pas, Gakpo gjen golin e 3-t të skuadrës së tij dhe të dytin e tij në këtë ndeshje, ndërsa në minutën e 66-të, gjërat do të nisin të përkeqësohen seriozisht për Mançester Junajtid, pasi fjalën e marr Mohamed Salah, që shënon golin e 4-t me një finalizim instinktiv në kufinjtë e zonës.  9 minuta më pas, Darvin Nunjez do të plotësojë dygolëshin e tij personal në këtë ndeshje, duke realizuar të 5-tin e Liverpulit, ndërsa një gjë të tillë do ta bëjë në minutën e 83-të edhe Salah.

Dhe dy minuta para fundit të kohës së rregullt, është Firminjo që i jep goditjen e fundit kapitullimit të skuadrës së drejtuar nga trajneri holandez Erik ten Hag, duke fiksuar shifrat në 7-0 për Liverpulin, që nuhat kështu zonën e Ligës së Kampioneve pas një nisjeje të dobët të sezonit. Ndërsa Mançester Junajtid pëson një humbje që vjen në momentin më të mirë të sezonit të vet, duke shpresuar që ajo të mos e tronditë pjesën e mbetur në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›