E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llalla merr mbeshtetje nga Presidenti per ushtrimin e detyres

Kryeprokurori Adriatik Llalla do të ketë mbështetjen e Presidentit të Republikës Bujar Nishani gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo ka qenë siguria që kreu i shtetit i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm gjatë një takimi të zhvilluar në presidenca ku nuk kanë munguar as urimet. Një ditë pas marrjes së detyrës Nishani e ka garantuar z. Llalla se do të ketë mbështetje në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit të presidentit me kreun e organit të akuzës mësohet se Nishani i ka kërkuar Llallës që institucioni i prokurorisë duhet të jetë i pavarur dhe jashtë çdo ndikimi nga politika, apo aktorë të saj, në mënyrë që vendimmarrja të jetë e drejtë dhe në zbatim të Kushtetutës. Presidenti gjatë fjalës së tij ka nënvizuar domosdoshmërinë e reformave në organin e akuzës si pjesë të reformës në drejtësi. Ndërkaq nga ana e tij kryeprokurori i ka shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë dhe e ka siguruar presidentin Nishani se do të jetë garant i vlerave më të larta morale dhe integritetit në radhët e prokurorëve dhe të gjithë punonjësve që ushtrojnë funksione të tjera në organin e akuzës. Llalla gjithashtu ka theksuar se prioritet i tij është forcimi i besimit të publikut tek institucioni i prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›