Llatja: Investime për formalizimin e zonave informale

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, inspektoi sot punimet në rrugën “Ahmet Gashi”, duke u shprehur se ky investim sjell përmirësim të cilësisë së jetës së banorëve të kësaj zone.
“Kjo ka qenë një rrugë shumë problematike dhe kërkesa kryesore e banorëve ka qenë gjithmonë rruga. Para tre vitesh ndërhymë dhe përfunduam pjesën kryesore “Iljaz Kosova”, por me një vëmendje të shtuar për rrugicat dhe rrugët e tjera. Vazhduam projektin për kanalizimet, ujësjellësin dhe një sërë problematikash të tjera që kishte pasur lagjja, më pas për të vazhduar me shtresat asfaltike.
Kjo është rruga që të lidh me Kombinatin e Drurit, zona e lirë ekonomike, ku po bëhemi gati të fillojmë një investim tjetër. Qëllimi ynë kryesor ka qenë formalizimi i zonave informale dhe kjo është arsyeja pse kemi filluar disa inspektime në Rajonin 6”, thotë Llatja.
Kryetari Llatja është shprehur më herët se buxheti i vitit 2025 ka një rritje prej 5,8%, duke u fokusuar te një sërë projektesh të reja, falë edhe mbështetjes së qeverisë.
Aktualisht në Elbasan po punohet në 11 rrugë të qytetit, duke përfshirë asfaltime dhe riasfaltime, si në zonat informale ashtu edhe në qendrat kryesore. Gjithashtu, përmes projektit të ujësjellës kanalizimeve të realizuar me mbështetjen e KfW-së gjermane dhe qeverisë shqiptare, janë siguruar përmirësime të mëdha në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.
/r.e//a.f/