Llatja: Rritje e numrit të vizitorëve në Muzeun Etnografik të Elbasanit

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Muzeu Etnografik në Elbasan, i shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, po tërheq vizitorë vendas e të huaj, duke u ofruar një përvojë autentike në rrënjët e historisë, kulturës dhe jetesës tradicionale të qytetit.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja përcolli sot një video nga ambientet e brendshme të këtij muzeu, i mbushur plot me turistë të pasionuar pas historisë dhe kulturës shqiptare.
Llatja shprehet se “vazhdon të rritet numri i vizitorëve vendas e të huaj në Muzeun Etnografik të Elbasanit, i cili mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore”.
Në ndërtesën dykatëshe të shekullit të 18-të, e njohur ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, prezantohet kultura, folklori dhe stili i jetesës së qytetit.
Në këtë muze ekspozohen rreth 80 zeje tradicionale, duke pasqyruar mjeshtërinë, stilin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj. Muzeu mbart në çdo kënd frymën e një qyteti të lashtë që di të ruajë dhe vlerësojë trashëgiminë.
Muzeu Etnografik qëndron i hapur çdo ditë të javës dhe mirëpret vizitorë nga vendi dhe jashtë, që duan të njihen më nga afër me jetën e të parëve tanë, veshjet, traditat, artizanatin dhe gjithë pasurinë shpirtërore të këtij qyteti.
/e.i//a.f/