E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogjet e Kavajës

Kur flisnim shumë, e përgjithësisht budallallëqe, dëgjonim rëndom shprehjen “po, po, llogje Kavaje”, shprehje e cila na u rikthye automatikisht në mendje me ngjarjen e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Në fakt, jo që në fillim. 24 orët e para të “ndodhisë”, rrëmbimit të një gruaje shtatzënë dhe heqjes dhunshëm të fëmijës në bark, të gjithë njerëzit, nga më i madhi te më i vogli, pa pasur ende kohë për analiza, e quajtëm tmerr, masakër, makabritet. Mendonim vetëm për Griseldën, “nënën” e shkretë, që për një shkak apo një tjetër, i ishte dashur të përballej me sjelljen kafshërore të grabitësve. Me bashkëshortin e Griseldës, kryetarin e Bashkisë së Kavajës, kisha pasur një intervistë telefonike (të regjistruar) vetëm 10 ditë para ngjarjes. Ai më pohoi se ishte i martuar dhe priste një fëmijë, madje edhe emrin ia kishte vendosur. Kontaktova me të ditën e ngjarjes dhe më erdhi keq të përfitoja duke shkruajtur fjalët e një babai në tentativë, një babai që vuante shumë humbjen e fëmijës. Mbrëmjen e 1 qershorit, policia hodhi në skemë dyshimet e para, dyshime të cilat edhe ne i botuam në Gazetën tonë, por të nesërmen na u desh të përballeshim me opinionin. Griselda kishte dhënë variante të ndryshme për të njëjtin fakt, e kjo gjë e bëri policinë dhe prokurorinë të dyshonte. Por njerëzit nuk dyshonin. Ata kapeshin me faktin e kafshërisë ushtruar mbi këtë grua dhe çfarëdolloj varianti tjetër e hidhnin poshtë. Çudia ndodhi paraditen e 2 qershorit. Në një bisedë direkte që kishim me drejtorin e maternitetit “Nëna Geraldinë”, ai pohoi faktin se Griselda s’kishte qenë kurrë shtatzënë. Të njëjtin fakt e pohuan edhe mjekët ligjorë, të cilët bënë ekzaminimet e tyre. Historia u bë edhe më e pabesueshme. Të gjithë mendonin se si kishte mundësi që Elvis Roshi të mos i kishte vënë kurrë dorën në bark gruas së tij, për të ndjerë zemrën apo lëvizjet e bebit...Të gjithë mendonin mënyrat e sofistikuara për të fshehur një shtatzëni 8 muaj, shkaqet...Atë e quajtën Marigo, si personazhi i filmit “Përrallë nga e kaluara”, ndërsa Elvisit i binte të ishte Gjino. Po mbrëmjen e 2 qershorit, të gjithë vlerësuam dhe e ndjemë letrën publike të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, mes së cilës shkruante: “Në emër të familjes sime, të babait, nënës, vëllait, motrës dhe të afërmve, si edhe në emrin tim personal, i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm që sot rezultoi i pavërtetë. U kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi kavajas, që ndanë me mua dhe familjen orët e mia më të vështira të jetës, duke na ndenjur pranë gjatë kohës kur e vërteta për ne ishte fare tjetër nga sa doli. U kërkoj ndjesë të veçantë miqve të Partisë Socialiste që nuk u kursyen në solidaritetin me familjen time”. Gjesti i tij, në këtë letër publike pa fyer e sharë askënd na u duk një akt qytetarie, për t’u marrë shembull. Por e nesërmja e tradhtoi kryetarin e ri të Bashkisë. Me sa duket, i ndjerë në rolin e të përdorurit, të mashtruarit e të paaftit për ta kapur në kohë situatën, ai vendosi të tregojë të vërtetën e dytë, apo më mirë të vërtetën pa doreza. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Panorama” ai thotë: “Griseldën e kam pasur thjesht të dashur dhe nuk kam pasur plane të martohem me të...”. Madje e quan dhe të sëmurë me depresion, ndërsa për fëmijën thoshte që do i njihte vetëm atësinë. Sa të zhgënjyer mbetëm ne, i gjithë opinioni që e kishte vlerësuar letrën e tij publike ku kërkonte ndjesë. Sa paburrëri, egoizëm, arrogancë, hipokrizi! Të gjitha fjalët që tha, e zhytën atë keq, e zhytën keq në të pamoralshmen. Mbrojtja për t’u dukur më burrë u kthye në bumerang kundra tij. Kryetari i Bashkisë Elvis Roshi doli si një njeri që ka mashtruar qytetarët e vet duke prezantuar të dashurën për grua gjatë fushatës, të dashurën që s’do e celebronte kurrë sipas tij. Gënjeu në intervistën e dhënë për “Gazetën Shqiptare”, ne dhe një opinion të gjerë publik, duke thënë se ishte i martuar, priste djalë, e madje i kishte gjetur edhe emrin foshnjës...Gënjeu shokët e Partisë Socialiste, të cilët shkuan e vizituan në shtëpi, e madje mes letrës publike ai u kërkonte ndjesë ndërsa ndjeu solidaritetin e tyre me “hallin” e madh që e kishte zënë...se shokët e partisë i shkuan se e dinin Griseldën gruan e tij, e jo “dashnoren e pashpresë”. Gënjeu dhe përdori Griseldën, figura e së cilës pas deklarimeve të tij u kthye nga një personazh i paragjykuar prej publikut, në një personazh të dhimbsur për atë çka kishte bërë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›