Lohan: Në 1 prill hyn në fuqi MSA-ja e Shqipërisë me BE-në

Shqipëri-BE kanë bërë një bilanc të progresit të shënuar në sektorë të tillë si tregtia, industria, doganat dhe tatimet. Një bilanc që sikurse tha Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan do të ndihmojnë vendin në ecurinë e tij të mëtejshme drejt unionit. Gjatë takimit të grupit konsultativ Shqipëri-BE, Lohan tha se në 1 prill të vitit 2009 hyn në fuqi Marrëveshja e Asociim Stabilizimit. Lëvizja e lirë e mallrave konsiderohet një hap i mirë drejt plotësimit të standardeve. Funksionimi sa më i mirë i marrëveshjes në fusha të tilla si tregtia, industria apo doganat do të ketë sipas Lohan, një impakt domethënës për të mbrojtur vendin nga kriza ekonomike që ka përfshirë mjaft vende. Ky grup pune trajton çështje të tilla e kanë të bëjnë me klimën e biznesit, zbatimin e marrëveshjes së lirë me vendet e rajonit dhe vendet e treta, zhvillimin, legjislacionit apo kapacitete administrative në dogana e tatime. Të gjitha përkthehen në një bilanc të progresit të shënuar nga vendi në këto sektorë si procese që përshkojnë integrimin në BE.
Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit së Shqipërisë me Bashkimin Evropian është nënshkruar në datën 12 qershor të vitit 2006, një vit pas ardhjes në pushtet të demokratëve. Ky hap u cilësua prej tyre si mjaft i rëndësishëm në procesin e gjatë dhe të vështirë të aderimit të vendit tonë drejt strukturave evropiane. Në vetvete, MSA është një paketë sugjerimesh, propozimesh, masash dhe ligjesh që Bashkimi Evropian ia propozon palës shqiptare si nisje në rrugën e procesit të plotë të integrimit drejt strukturave të tij.
...