Me 28 qershor, Shqipëria do votëbesojë projektin e kabinetit “Berisha 2”
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje publikisht garancinë se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të rikonfirmojnë Partinë Demokratike dhe të djathtën në tërësi. Gjatë diskutimeve dhe pyetjeve me panelin e gazetarëve në emisionin “Opinion” në TV Klan, shefi i ekzekutivit renditi sukseset e qeverisë së drejtuar prej tij gjatë mandatit të parë dhe objektivat apo misionet për mandatin e ardhshëm qeverisës. Kryeministri Berisha tha se fushatën zgjedhore do ta mbështesë mbi atë që do të bëjë mandatin e ardhshëm. “Nëse katër vjet më parë u thosha qytetarëve do të bëj, u premtoja, sot unë do tu them qytetarëve që kam bërë dhe do të bëj mandatin e dytë të qeverisjes së djathtë. Unë kërkoj votën për ato që do të bëj dhe jo për ato që kam bërë.
Ato që mbeten pa realizuar këtë mandat, do të jenë çështja kryesore e mandatit të dytë qeverisës. Jam në një proces të vazhdueshëm reformash. Arsimi, është një reformë e gjerë, aksesi i sektorit privat do të jetë përparësi për këtë qeveri. Sektori privat është më i fuqishëm financiarisht se sa sektori privat. Reformat e katër vjetarit do të jenë një zgjerim i sektorit privat në vend. Kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe po shkojmë drejt trefishimit të tij”, tha Berisha. Kryeministri vuri në dukje se arritje madhore për vendin është integrimi në NATO, proces që përmbyllet përfundimisht gjatë punimeve të Samitit të Aleancës që mbahet javën e parë të muajit prill, në Strasburg dhe Këln. Si një objektiv tepër të rëndësishëm dhe ku është përqendruar e gjithë puna e qeverisë, siç është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kreu i qeverisë thekson se brenda Presidencës çeke, qeveria do të dorëzojë në Bruksel kërkesën për statusin e vendit kandidat. “Në këto 4 vite u nis dhe u sos procesi i ratifikimit të MSA-së. U diskutua për herë të parë në 27 parlamente me tonet më pozitive për këtë vend. Po shkojmë drejt statusit të vendit kandidat. Kjo qeveri ia doli të shuajë çdo skepticizëm për Shqipërinë dhe krahas mbështetjes së SHBA-së, një rol përcaktues kanë pasur reformat e kësaj qeveria. Kjo qeveri, me politikat e saj ekonomike bënë që ky vend, pasi realisht janë 5 institucione qe e parashikojnë, të mos preket nga kriza globale ekonomike. Është rezultat i politikave fiskale dhe ekonomike të kësaj qeverie”, u shpreh Berisha. Me afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, Berisha garantoi se qytetarët shqiptarë do të votojnë për herë të parë me dokumentet më moderne. “Procesi i kartave të identitetit po ecën mbarë. Janë bërë 209 mijë aplikime janë prodhuar mbi 150 mijë karta. Opozita i mëshon manisë kundër këtij procesi që po i bën qytetarët me dokumentet më moderne. Është e pamundur që datën 28 qershor të shkojnë të votojnë qytetarë pa dokumentet e reja, sepse të gjithë 100 % do të pajisen me to. Kompania ka sjellë standardin më të lartë për prodhimin e kartave. Nuk do të ketë qytetar që do të shkojë të votojë që nuk do të ketë kartë”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se gjatë katër viteve të para të qeverisjes së djathtë, u vunë përballë drejtësisë bandat mafioze që lulëzuan për 8 vjet nëpër Shqipëri, të mbrojtur nga politika e atëhershme.
“A nuk ka qenë Durrësi i dominuar nga klani i Zemunit? A nuk ka qenë Lushnja e dominuar nga Aldo Bare? A nuk ka qenë Tirana e dominuar nga Nehat Kulla? Ku janë tani, ata janë në vendin e duhur”, nënvizoi Berisha. Kreu i qeverisë renditi si suksese të çmueshme, luftën dhe përpjekjet e vazhdueshme ndaj fenomenit të korrupsionit. “Qeveria ime është kampione në luftën kundër korrupsionit. 150 zyrtarë të administratës publike, janë vënë përballë drejtësisë. Si pasojë e politikave antikorruptive, kemi vendosur mbi 3.5 miliard dollarë investime. Realizuam privatizimet më të suksesshme. Në tre vite inkasuam nga taksat dhe tatimet 3.2 miliard dollarë, duke edhe i ulur taksat. Janë konvertuar në rritje rrogash mesatarisht 68% me rritje pensionesh mbi 58%, janë konvertuar në shndërrimin e vendit në kantier ndërtimi rrugës nga Morini në Konispol. U shkurtuan shpenzimet operative nga 2% të prodhimit të brendshëm bruto në 2% të PBB. Ne privatizuam ARMO-n, nga e cila kishim një fitim prej 15 milionë euro në vit. Telekomin e privatizuam dhe është një privatizimin shumë i suksesshëm. Korrupsionit i janë prerë degët e mëdha. A ka korrupsion?? Përsëri them që ka korrupsion, por ne e kemi luftuar atë në të gjitha drejtimet”, vijoi Berisha.
Për sa i takon çështjes së pronave, Berisha tha se ky problemi i pronave mbetet një nga problemet më madhore. “Një problem i kësaj janë edhe dokumentet e falsifikuara. Vendosëm ligjin që pas çdo privatizimi 10% e vlerës të shkojë për shpërblimin e ish pronarëve”, tha Berisha. Lidhur me të përndjekurit, Berisha theksoi se ligji është bërë, por ka pasur vështirësi të jashtëzakonshme në dokumentacion. “Dokumentet falsifikoheshin dhe kjo ishte një pengesë madhore në vënien në jetë të procesit. Nuk ka presion më të tmerrshëm sesa ai për pronat. Përpjekjet e qeverisë janë të jashtëzakonshme për zgjidhjen e procesit. Qytetarët shqiptarë vuajtën dhe u materializuan nën një regjim të egër ndërsa kryetari i Partisë Socialiste mbron krimet e rënda të komunizmit. Kjo është e pafalshme dhe e patolerueshme. Janë 2 miliard lekë të gatshme, për shpërblimin e ish të përndjekurve”, theksoi kreu i qeverisë.
Për Durrës-Kukës-Morinë
Rruga Durrës-Morinë mbaron brenda qershorit. Muri i Berlinit midis dy vende do të bjere. Tuneli mbaron në maj. Rruga mbaron dy javët e para të muajit qershor. Do fillojnë rrugë Bulqizë-Klos-Tiranë, Qafë Plloç- Qukës, Boshti i jugut
Për debatin televiziv me Edi Ramën dhe Ilir Metën
Me kënaqësi dhe me një kusht që ata të dy të bëjnë një debat me Fatos Nanon njëherë. Ish-kryeministri dhe njeriu që e ka kryesuar atë parti për 15 vjet, një tele-Bashki e censuron, një tele-Jalë gjithashtu e censuron. Unë jam armik i ashpër i censurës. Të dalë një ish kryeministër dhe të censurohet nga tre media që dhunohen nga Rama është e papranueshme.
Për procesin e zgjedhjeve dhe ekipin e ri politik të së djathtës
Do të respektohet ligji për barazinë gjinore në parlament. 30 % e vendeve të parlamentit do të jenë gra. Së dyti, listat do të kenë kandidatë jashtë politikës, nuk flasim për emra konkretë, por unë kam një kabinet me një pjesë të cilëve unë kam qenë kundërshtar dhe funksionoj soj njëlloj sikur nuk kam pasur kurrë kundërshtime. Do të ketë figura të reja, personalitet të reja në listën e zgjedhjeve të qershorit.
...