Lohan mbërrin në selinë rozë, i dorëzon Ramës progres-raportin
Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan, i dorëzoi dje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dokumentin e progres-raportit për Shqipërinë. Takimi u zhvillua pas mesditës në selinë rozë, ku ambasadori bëri një përmbledhje të asaj çfarë përmban ky dokument dhe detyrat e shtëpisë që duhet të kryejë Shqipëria në 12 muajt e ardhshëm. Ndërsa kryetari i selisë rozë dhe deputeti Ditmir Bushati që ishte i pranishëm në këtë takim, falënderuan Lohan, duke e garantuar ambasadorin për angazhimin dhe rolin e opozitës në përmbushjen e reformave. Progres-raporti vjetor u publikua dy ditë më parë dhe Kryeministri Berisha ishte i pari që u njoh me të. Në komentet e Lohan mbi atë çfarë thuhet në raport është se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë edhe pse ka përmirësime në disa fusha. Vlerësohet se vijon ende të ketë probleme me korrupsionin, ndërsa për zgjedhjet thuhet se ato patën përmirësim në mënyrën se si u zhvilluan ato edhe pse nuk ishin plotësisht konform një vendi anëtar të NATO-s.