E Shtunë, 31 Tetor 2026

RAPORTI I KE-së, KUR GOTA BEHET LEGEN

Më ushqeje me gënjeshtra,
Më thoje kur të vijë vjeshta…

Populli shqiptar

Ka disa lloje gotash që nuk i mbushke dot, edhe sikur të derdhësh edhe oqeanin në to. E tillë është mesa duket, edhe gota e integrimit të Shqipërisë në Europë. Ajo rritet e rritet nga viti në vit, si një krijesë e gjallë, prandaj dhe nuk mbushet dot. Pohimi i pazakontë u bë nga Helmut Lohan, kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë. Ditën e publikimit të progres-raportit për vitin 2009, Lohan deklaroi se për sa i përket përmbushjes së standardeve integruese nga ana e Shqipërisë, "gota është gjysmë plot". Të shohësh gjysmën plot të një gote është shenjë optimizmi për t‘u përshëndetur. Veç ai shfaqet ca si i tepruar kur kujton se vitin e kaluar ishte Olli Rehn që përkufizoi me lakonizëm optimist progresin e Shqipërisë po me të njëjtat fjalë: gota është gjysmë plot".

Dhe sot, pas kaq ujërash të rrjedhura e të derdhura në një vit jetë të Shqipërisë dhe politikës së saj, ne shohim përsëri një zyrtar të lartë të KE-së, që na thotë: gota është gjysmë plot! Kemi ngecur në vend? A duhet të jemi optimistë për integrimin? Na thonë se duhet. Eshtë ambasadori Lohan që na siguron për këtë. Stanjacioni qenka iluzion optik. Sepse këtë vit, sikundër sqaroi Lohan, gota e standardeve qenka bërë më e madhe. Kjo do të thotë se edhe pse "indikatori" i performancës mbetet si ai i 2008-s (gota mbushur përgjysmë), Shqipëria dhe politika e saj ka arritur të bëjë një punë më të mirë duke hedhur më shumë ujë në gotën e standardeve. Sikur të kishte qenë e njëjta gotë, pra ajo e vitit 2008, pa dyshim që mund të ish mbushur më shumë se gjysmë. Sikur të qe zvogëluar, ndoshta edhe do derdhej. Sepse, sikundër thotë raporti, Shqipëria ka bërë mjaft punë për arritjen e standardeve. Për fat të keq sot del që gota e standardeve befas u zmadhua. Por pikërisht kjo nuk i ka shpërblyer me progresin e merituar as shqiptarët dhe as qeverinë e tyre që paska punuar shumë. Mos gota është e magjepsur? Apo mos kjo puna e gotës që fryhet është një gjetje "diplomatike" për të thënë që edhe është punuar në një kohë që s‘ka progres? Ndërkaq a nuk duhej të qe edhe "madhësia e gotës" ose vëllimi i punës që duhet kryer nga pala shqiptare, një standard i fiksuar? Ambasadori Lohan nuk dha shpjegime.

***

Por a duhet të jenë shqiptarët përsëri optimistë për integrimin e vendit kur niveli në gotë nuk ngrihet edhe pse hidhet më shumë ujë në të? Po sikur vitin tjetër gota të zmadhohet edhe më? Po sikur ritmet e zmadhimit të gotës të përshpejtohen më shumë edhe sesa rritja e prurjeve të ujit në të, duke bërë që edhe pse derdhen më shumë lëngje të standardizuara, niveli i performancës të bjerë më poshtë edhe se gjysma? Shqiptarët kanë të drejtë të shqetësohen nga një rritje e mundshme e vëllimit të gotës së progresit, sepse një gjë e tillë mund t‘i ndëshkojë me regres në çështjen e integrimit. Se ku mund të përfundojë shpresa e tyre për integrimin në Europë nëse gota e standardeve shndërrohet vit pas viti në një legen? Uji, edhe pse i shtuar, nuk e mbush dot kurrë më shumë se deri në gjysmë, një gotë që zmadhohet. A nuk do t‘i ngjasonte integrimi i tyre me Europën paradoksit të Zenonit sipas së cilit, Akili i shpejtë që thuajse fluturon përpara nuk e arrin kurrë breshkën që zvarritet? T‘i pranojnë shqiptarët këto çudira apo të bëjnë një tjetër "kritikë të programit të Gotës" por këtë herë, të ndryshëm nga ai i Marksit?

Nga ky këndvështrim e nesërmja nuk u lë vend shqiptarëve për optimizëm. Por nuk lë vend për një ndjenjë të tillë as e sotmja. Pavarësisht pohimeve optimiste të zyrtarëve të KE-së, sikundër ato të ambasadorit Lohan, që vuajnë nga vesi i patëkeq për të parë vetëm anën plot të gotës. Ves që, kur gota rrit përmasat, do të kënaqte edhe pijanecin më pesimist në botë. E megjithatë është një optimizëm i dehur që nuk sheh dot se bashkë me gjysmën e mbushur, rritet edhe gjysma e pambushur e saj. Konkluzioni? Pas një viti punë të frytshme (e pranojnë vetë në raport se ka pasur një të tillë) Shqipëria ka edhe më shumë detyra dhe standarde të paplotësuara sesa një vit më parë! Eshtë pa fjalë tmerrësisht shqetësuese. Një gjysmë bosh që rritet e rritet? Kështu, edhe vetë raporti i progresit i KE-së shndërrohet fatalisht në një raport regresi. E si të mos kesh frikë se me të tilla çudira në gotë, udhëtimi i shqiptarëve drejt Europës nuk do të jetë si ai i gomarit dhe Shrekut për në mbretërinë e "shumë-shumë largut"? Arritëm pyet gomari? Jo, përgjigjet Shreku. Dhe përsëri e përsëri: Arritëm? Jo! Arritëm? Jo! Arritëm?- pyesin sot dhe do ripyesin nesër shqiptarët. Përgjigjja do të jetë përsëri "jo". Jo për heqjen e vizave, jo për integrimin. Europa vazhdon të mbetet shumë-shumë larg Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po përse, a nuk po bëjmë reforma, a nuk po hedhim ujë sa duhet? Europa vetë thotë, madje në kundërshtim me zërat kritikë brenda vendit, që po bëjmë reforma, që po bëjmë një progres i cili për çudi jo vetëm nuk po na afron me Europën, por po na e largon atë. I kujt është faji pra? Doli më në fund. E tha vetë ambasadori Lohan tek shuante etjen tek zbrazte deri në fund para kamerave, gjysmën e gotës së ujit që kish pranë. Faji nuk është as i qeverisë, as i opozitës, as i shqiptarëve, as i europianëve që po punojnë me të gjitha forcat dhe jo pa sukses për integrimin. Faji qenka i gotës që rritet dhe nuk na lejon të rritemi. Dhe mund të vijë një ditë që Europa të mos na thotë më mbushni gotën, por bjerini legenit! Apo mos e ka thënë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›