E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja patriotike

Fadil Lepaja

Po ta jap, spo ta jap! Tingëllon si lojë fëmijësh, po të mos ishte një çështje aq serioze dhe po të mos kishte të bënte me interesat strategjike të dy vendeve tona mike. Parë në aspektin gjeopolitik, dalja në det siguron një përparësi të jashtëzakonshme për një vend. Shtetet pa dalje në det e dinë rëndësinë e kësaj. Për shembull, dalja në detet e ngrohta për Rusinë, edhe sot e kësaj dite është mungesë e karakterit strategjik, e cila kushtëzon shumëçka në politikën e saj të jashtme. E ngjashme pak a shumë është edhe situata e Serbisë, por në përmasa gjithsesi më të vogla. Korridori i saj i XI synon të tejkalojë këtë minus strategjik me një korridor ndërkombëtarë, por telashet me financimin, e ndoshta edhe ato politike e të sigurisë, duken të jenë serioze. Serbia kishte edhe projekte të tjera përpos korridorit XI për të tejkaluar izolimin. Korridori paneuropian i X i filluar qysh në kohën e ish-Jugosllavisë dhe me kredi ndërkombëtare, me dy brinjët e veta lidh në njërën anë Sofjen dhe Stambollin, kurse në tjetrën përmes Kumanovës lidh Selanikun. Kjo është me një rëndësi vitale jo vetëm për Serbinë, por edhe për kontinentin. Edhe pse i mëhershëm, ky projekt ende nuk është kryer krejt. Ai mbetet ende peng i buxhetit dhe lojërave gjeopolitike.

Po i afrohet fundit korridori Nish-Durrës, i cili, falë patriotizmit shqiptar dhe përkrahjes morale e logjistike të bashkësisë ndërkombëtare, u realizua në një pjesë të madhe nga vetë shqiptarët dhe kjo në retorikën politike ka marrë emrin autostrada e kombit. Formalisht quhet autostrada Ibrahim Rugova, duke iu referuar njeriut që mbase i pari e përmendi në publik. Presioni ndërkombëtar për këtë korridor ishte i jashtëzakonshëm dhe shumëçka kushtëzohej pikërisht me ndërtimin e tij. Qeveritë ngriheshin dhe binin me këtë motivacion. Kërkohej dinamikë e jashtëzakonshme dhe kjo po realizohej nga një kompani globale, e cila me të njëjtin motivacion po bënte edhe segmente të korridorit XI në Serbi.

Kur porti i Shëngjinit, me një vendim politik iu fal Kosovës, pakkush e dinte se çfarë do të thotë kjo në të vërtetë. Përpos retorikës patriotike,  nuk u ndërmor asgjë nga të dyja palët. Madje, ka edhe ide që tingëllojnë keq, se kjo falje ka qenë po ashtu në funksion të kompensimit të Serbisë për humbjet e korridoreve. Tingëllon si një ofertë, si një pazar. Pazare të tilla u bënë edhe në Dejton.

Për shembull, një pazar i tillë është funksional edhe sot, edhe pse është një histori që fillon qysh në vitin 1718, kur nga ana e Republikës së Dubrovnikut, porti i Neumit i ishte lënë në dispozicion Perandorisë Turke. Ky port, edhe sot e kësaj dite e ndan Kroacinë në dy pjesë. Në një dokument të tijin, Brukseli kërkon të dijë nëse ka ndonjë aktivitet në lidhje me transportin detar në Kosovë?. Ata si duket e kanë marrë seriozisht këtë akt patriotik të qeverisë shqiptare. Në të vërtetë, edhe ne jemi kureshtarë: ka Kosova det? Spo marrim vesh ende…!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›