E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojë të mirë dhe rezultat

TIRANË – Ende nuk është i kënaqur me punën që ka bërë tek Hungaria, ndonëse po përpiqet shumë bashkë me ndihmësit e tij, Çabo e Asel. Ervin Kuman, një trajner jo aq me përvojë sa Ari Han, shpreson që ish-superfuqia botërore e futbollit të kthehet të paktën në nivelin normal ndërkombëtar. Barazimi me Danimarkën e la gjysmë të kënaqur, ndërsa humbja në Suedi nuk e kënaqi aspak.

“Në radhë të parë ne duhet të synojmë që të luajmë mirë, - thotë ai, - nëse e bëjmë këtë dhe në vazhdimësi rezultatet do të vijnë”. “Niveli që shfaqi skuadra ime në Suedi nuk është niveli i sotëm ndërkombëtar i futbollit”, - vazhdoi ai në mënyrë kritike.

Hungaria e Kumanit nuk mund të akuzohet për mungesë shpirti luftarak, por shpejtësia e veprimeve në fushë lë për të dëshiruar. Po ashtu, një pjesë e lojtarëve nuk luajnë në nivel të lartë dhe ndoshta është vështirë të gjesh futbollistë me rëndësinë dhe karakterin e Lorik Canës apo Altin Lalës.

Disa prej më të talentuarve janë organizatori i Dortmundit, Tamash Hajnal, lojtari Sabolç Husti i Hanoverit (kërkohet nga Evertoni), veterani Peter Halmosi i Hall Sitit (Premier Ligë) apo kapiteni Zoltan Gera i Fulhamit po në Premier Ligën angleze, pa harruar Pal Dardain e Hertës së Berlinit. Asnjë prej tyre nuk e ka numrin e ndeshjeve të Lalës, ndërsa vetëm Gera ka një numër golash më të madh se ai i lojtarëve aktualë shqiptarë (16 në 55 ndeshje).

Rinovimi i premtuar nga Kuman ndoshta do t’i japë frytet. Plot 16 lojtarë janë thirrur në ekipin kombëtar vetëm në vitin 2008, në ndeshjet ndaj Sllovenisë (0-1), Malit të Zi (3-3), Kroacisë (1-1), Greqisë (3-2), por ende ata nuk mund të quhen pjesë e qëndrueshme e grupit.

Portieri 18-vjeçar Peter Gulaçi, që luan tek Liverpuli, besohet të jetë e ardhmja (por ende jo e tashmja), ndërsa sulmuesi po i Liverpulit, Krishtian Nemeth (19 vjeç) mund të ketë shanse më të shpejta. Tamas Kadar, mjaft i talentuar, luan tek Njukasëll Junajtid, ndonëse nuk ka çarë ende në skuadrën e parë kurse sulmuesi Balas Farkas është pjesë e Dinamos së Kievit ndonëse ka vetëm moshën 20-vjeçare.

Përgjithësisht mund të thuhet se Hungaria do të luajë ndaj Shqipërisë me skuadrën që ka në dispozicion, plus ndonjë ndërfutje të të rinjve që besohet se do t’u besohet fillimisht stoli.

  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›