E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proces i pakthyeshëm

Feith: Duhet të heqim mentalitetin që përpiqet të mohojë pavarësinë e Kosovës

Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm”. Me këtë deklaratë, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Piter Feith, mohoi dje zërat se iniciativa e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë ndikim në misionin që ai drejton. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai u shpreh madje, se kjo përpjekje nuk i shërben aspak as vetë aspiratave evropiane të Serbisë. “Është mëse në rregull që një anëtar i OKB-së të kërkon opinionin dhe të paraqesë ankesë te kjo gjykatë. Kjo është natyrisht shumë më mirë sesa ta zgjidhësh çështjen me mjete të tjera. Megjithatë, unë besoj se në këtë fazë kjo iniciativë nuk e ndihmon aspak Serbinë”, - tha Feith. Sipas tij, kjo për tri arsye: e para, sepse iniciativa për t’i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë opinion mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës nuk kontribuon aspak në aspiratat e Beogradit për t’iu afruar BE-së, duke qenë se pjesa më e madhe e vendeve anëtare e kanë njohur tashmë shtetin e Kosovës. Arsyeja e dytë sipas Feith, është se kjo iniciativë mund të ketë një efekt negativ në stabilizimin e situatës, pasi mund të ngadalësojë procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës. “Arsyeja e tretë, duke folur globalisht, është sepse një opinion i tillë mund të çojë në analogji të shumta dhe krahasime me kriza të tjera në botë, që përballen me kundërshtime nga disa prej vendeve anëtare të OKB-së”, - shtoi kreu i Misionit Evropian në Kosovë. Kur gazetari i “Zërit të Amerikës” theksoi faktin se ata shtete që e kanë njohur Kosovën dhe besojnë se ka një bazë ligjore që legjitimon shpalljen e pavarësisë së saj, nuk duhet t’i tremben aspak iniciativës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, diplomati holandez u përgjigj: “Kjo është mëse e drejtë, por qëndron fakti se sa kohë do të vazhdojmë me mentalitetin që po përpiqet të mohojë pavarësinë e Kosovës”? Edhe një herë Feith theksoi se ai e konsideron pavarësinë e Kosovës si një proces absolutisht të pakthyeshëm dhe se çfarëdo konkluzioni të marrë gjykata, është mëse e qartë se qeveria e Kosovës dhe vendet që e kanë njohur atë janë të sigurt se nuk do të ketë kthim në vendimin e njohjes. “Është thjesht një opinion këshillimor pa efekt imponues”, - theksoi përfaqësuesi i BE-së. Sa i përket legalizimit të statusit të misionit të BE-së, EULEX-it, të refuzuar nga Serbia, Feith konfirmoi se kanë nisur kontaktet mes Beogradit dhe BE-së për modalitetet e dislokimit të këtij misioni. Sipas tij, Serbia është mëse e vetëdijshme për qëllimin e Brukselit për të dislokuar EULEX-in në të gjithë territorin e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›