E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lojërat e Solidaritetit Islamik, Shqipëria larg medaljes

Lojërat e Solidaritetit Islamik tashmë janë drejt përfundimit në Konia të Turqisë dhe për Shqipërinë tanimë ka mbyllur garën dhe skuadra e çiklizmit. Madje duke arritur një rezultat të mirë në garën e rrugës, sepse Mikel Demiri ka zënë vendin e pestë mes 69 konkurrentëve. Madje vetëm në sprintin final, teksa në 125 kilometra të përshkruara Demiri ishte me grupin e parë, i ka shpëtuar medalja nga dora. Çiklisti tjetër, Brikel Barçi, nuk hyri dot në 20-en e parë. Veçse ai u kushtëzua nga gjendja shëndetësore, që e ka shqetësuar këto ditë qëndrimi në fshatin olimpik.

Në not Sofian Sorreg në 400 metra stil i lirë me kohën 4’21”60 është renditur i pesti në baterinë kualifikuese. Në 200 metra stil i lirë, këtë herë me kohën 2’05”65, u rendit i gjashti. Rezultatin më të mirë e dha në 1500 metra stil i lirë, ndërsa u klasifikua i pesti në finale. Po kështu në not ka konkurruar edhe Dalvi Elezi, që në 50 metra stil i lirë, me 24”71, u rendit i katërti në baterinë kualifikuese.

Dhe ka mbyllur konkurrimin në xhudo Amanda Lika, e cila në peshën deri në 63 kilogram është mundur me vazari nga kundërshtarja e saj. Tanimë do të jenë në garë Dalvi Elezi në not, Erson Ramaj në xhudo dhe Abdullah Backa në karate për të mbyllur konkurrimin e Shqipërisë në Lojërat e Solidaritetit Islamik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›