Londra shpall plan me 6 vende për rihapjen e Hormuzit: Gati të marrim hapa konkretë. Irani të ndalojë menjëherë kërcënimet dhe sulmet!

Gjashtë vende, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia kanë deklaruar sot gatishmërinë për të kontribuar në një plan që synon garantimin e lundrimit tregtar në Ngushticën e Hormuzit, i cila është bllokuar pjesërisht nga Irani si reagim ndaj sulmeve të SHBA dhe Izraeli.
Lajmi bëhet i ditur në një deklaratë të publikuar nga qeveria britanike, ku gjashtë vendet dënojnë gjithashtu me forcë sulmet e Teheranit.
Në një deklaratë të përbashkët ato dënuan sulmet e Irani ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës së naftës dhe gazit në Gjirin Persik, duke shprehur gjithashtu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin e konfliktit.
Në deklaratë thuhet:
“Ne dënojmë në mënyrën më të fortë sulmet e fundit nga Irani ndaj anijeve tregtare të paarmatosura në Gjirin Persik, sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë instalimet e naftës dhe gazit, si dhe mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane”.
“Shprehim shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e konfliktit. I bëjmë thirrje Iranit të ndalojë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa, si dhe çdo përpjekje tjetër për të bllokuar kalimin e anijeve tregtare, dhe të respektojë Rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”
Më tej, vendet nënvizuan gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkretë:
“Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekje të përshtatshme për të siguruar kalim të sigurt nëpër ngushticë. Mirëpresim angazhimin e vendeve që po përfshihen në planifikimet përgatitore.”
Ata përshëndetën gjithashtu vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për të autorizuar një çlirim të koordinuar të rezervave strategjike të naftës, si dhe paralajmëruan masa të tjera për stabilizimin e tregjeve të energjisë, përfshirë rritjen e prodhimit nga disa vende prodhuese.
Në fund, deklarata thekson se do të ofrohet mbështetje për vendet më të prekura nga kriza, përmes Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.