E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luani ngjitet sërish në ring; Dimitrenko rivali

Lajmi është bërë i ditur nga gazeta gjermane “Bild”. “Krasniqi dhe Dimitrenko do të përballen në vjeshtë”, theksohej sot në versionin elektronik të gazetës.

Kanë kaluar rreth tetë muaj prej sfidës së fundit të Krasniqit, të cilën 38-vjeçari e humbi pikërisht përballë boksierit ukrainas, Dimitrenko, me nokaut teknik në raundin e tretë. Pikërisht në momentin kur shpresat e boksierit shqiptar që konkurron për Gjermaninë po shuheshin, dështimi i përballjes së Dimitrenkos me britanikun Edi Chambers, ndryshoi situatën.

“Promotori Klaus-Peter Kohl dhe Luan Krasniqi kanë arritur marrëveshjen”, theksonte “Bild”. Edhe Zhan-Marsel Nartz, zëvendëspresident i Shoqatës së Boksierëve Profesionistë të Gjermanisë, është shprehur i bindur se kjo ndeshje do të zhvillohet. “Lufta po vjen”, ka thënë Nartz me entuziazëm.

Në vitin 2007, Luan Krasniqi kishte ngritur dyshime rreth vazhdimit të karrierës si profesionist. Gjithçka erdhi menjëherë pas humbjes me nokaut teknik në duelin kundër amerikanit Toni Tompson.

Megjithatë, pas konsultimeve me familjen dhe miqtë e tij më të afert, ai vendosi t’i rikthehej ringut. Kosovari me pasaportë gjermane, u kthye në ring i bindur se ishte në gjendje të bëhej sërish sfidant për titullin e kampionit të botës. Por, ëndrra e tij u shua në përballjen e parë me Aleksandër Dimitrenko. Përballja e dytë me ukrainasin, shihet jo vetëm si rasti i fundit për të endërruar brezin, por edhe për t’u hakmarrë ndaj Dimitrenkos.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›