E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor nis nesër shqyrtimin e ankimimeve

Pas ankimimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tashmë është Kolegji Zgjedhor mundësia e fundit, çka mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. 

Kryesisht ankimimet, lidhen me rezultatet e votimeve në qarqet e Beratit, Shkodrës, Fierit dhe Durrësit. Gjatë mbledhjes së parë që pritet të mbahet paraditen e së martës (ora 10.00), Kolegji do të shqyrtojë dy ankesa të PD-së për Qarkun e Fierit.

Kjo forcë politike ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të 6 qendrave të votimit në këtë qark dhe vendimin e KQZ-së të datës 13 korrik për tabelën përfundimtare të rezultateve në Fier.  Ndërsa PS ka depozituar katër kërkesa ankimore për qarqet Berat, Shkodër, Tiranë dhe Fier. Socialistët kërkojnë rinumërim të fletëve të pavlefshme në Berat dhe shpalljen të pavlefshme të votimit në komunën Ruzhdie të Fierit, si dhe në disa qendra votimi në Tiranë e Shkodër.

Kolegji Zgjedhor i vendosur pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë përbëhet nga 8 gjyqtarë. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e tij janë të formës së prerë. Anëtarët e kësaj trupe gjykuese e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›