E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luante me pistoletë, plagos 13-vjeçarin

Silvana Muça

Tiranë

Një i mitur është plagosur aksidentalisht me pistoletë nga pronari i një lokali. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes, në Fushë-Mëzes të Tiranës, ku i plagosur ka mbetur 13-vjeçari Anderson Harroku. I mituri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, për të marrë mjekimin e nevojshëm dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Harroku është qëlluar në pulpën e këmbës nga pronari i lokalit, Isuf Murati. Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, autori i ngjarjes ka qenë duke luajtur me armën e zjarrit, përtej banakut dhe pa dashje i është shkrepur pistoleta, duke plagosur 13-vjeçarin. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia për të nisur zbardhjen dhe rrethanat në të cilën ndodhi plagosja. Paraprakisht dyshohet se 13-vjeçari është plagosur aksidentalisht, gjithsesi po vijojnë hetimet për zbardhjen e plagosjes së Anderson Harrokut. Ndërkaq, autori i krimit, Murati, është shpallur person në kërkim, sepse është larguar menjëherë pasi ka plagosur klientin e tij. Ai akuzohet për veprën penale të plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje. S. Muça

Luante me pistoletë, plagos 13-vjeçarin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›