E Diel, 1 Nëntor 2026

Luarasi: Manipulimi i informacionit përgatit terrenin për kriza, demokracia duhet të jetë mburoja jonë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Deputetja dhe anëtarja e Nënkomisionit për Integritetin e Informacionit Publik dhe Dezinformimin, Iris Luarasi, deklaroi sot se dezinformimi dhe manipulimi i informacionit nuk nisin me ndërhyrje të drejtpërdrejta, por shpesh me qytetarë që shpërndajnë narrativa të rreme duke besuar se po përcjellin të vërtetën.

Gjatë fjalës së saj në Panelin II “Shqipëria, zgjerimi dhe FIMI: cenueshmëritë, gatishmëria dhe përgjigjet praktike”, pjesë e konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për luftën kundër Manipulimit dhe Ndërhyrjes së Huaj në Informacion (FIMI), Luarasi solli shembuj të materialeve të manipuluara që qarkullojnë në hapësirën online.

“Manipulimi nuk nis me ushtarë, siç u theksua në këtë takim, por nis me qytetarë që mendojnë se po thonë të vërtetën”, tha Luarasi.

Ajo iu referua një fotografie të shpërndarë në rrjetet sociale, e marrë nga një protestë në Tiranë, ku sipas saj ishte ndërtuar një narrativë se “Shqipëria po shitet dhe po kolonizohet”.

“Mesazhi është i thjeshtë dhe helmatisës: toka jonë po shitet, po kolonizohet. Kjo është tërësisht e fabrikuar, por protesta është reale dhe frika e saj është reale”, u shpreh ajo.

Luarasi theksoi se qëllimi i këtyre fushatave nuk është vetëm përhapja e një informacioni të rremë, por krijimi i një klime mosbesimi dhe përçarjeje në shoqëri.

“Kur shpërndani këto pamje, nuk po bëni një punë të mirë për Shqipërinë, por mund të jeni duke bërë një punë përgatitore falas për aktorë që synojnë të dëmtojnë demokracinë”, tha ajo.

Duke folur për përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjeve të rreme, Luarasi solli shembuj të imazheve të manipuluara që synojnë të nxisin tensione dhe narrativa kundër interesave të vendit.

“Kontrolluesit e fakteve konstatuan se ndërtesa nuk ishte aty, flamuri ishte i gabuar, gardhi nuk ishte aty. Ishte një foto e krijuar me inteligjencë artificiale”, deklaroi ajo.

Sipas Luarasit, Shqipëria nuk është jashtë sfidave që sjell lufta informative, por është pjesë e një procesi më të gjerë europian.

“Shqipëria nuk është në skaj të luftës për informacion europiane, por në ballë, pasi jemi në një pikë ku kemi përshpejtim dhe ndërthurje me atë që po ndodh me inteligjencën artificiale”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se Kuvendi ka ngritur Nënkomisionin për Integritetin e Informacionit Publik dhe Dezinformimin, i cili, sipas saj, funksionon mbi bazën e standardeve europiane.

“Ky nuk është një komision censure. Është një komision që mbikëqyr dhe ka detyra të qarta për të mbrojtur kundër dezinformimit”, u shpreh Luarasi.

Në përfundim, deputetja apeloi për forcimin e rolit të demokracisë, institucioneve dhe medias në përballjen me manipulimin e informacionit.

“Gazetarët janë sisteme imune të demokracisë. Na duhet kurajo dhe guxim”, përfundoi Iris Luarasi.  /e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›