Lubonja: Nga muri tek muret
Në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, publicisti pohon: Në Shqipëri nuk ka pasur disidencë
Flet për Murin e Berlinit, ai që qendroi i rrethuar me mure qysh 23 deri 40 vjeç. Në kampin e Spaçit, në kampin burg të Ballshit dhe në burgun e Burrelit, gjithsej 17 vjet.
Fatos Lubonja ka qenë i vetmi i ftuar nga elita e mendimit të sotëm shqiptar për të folur për izolimin e Shqipërisë dhe situatën para dhe pak pas rënies së Murit të Berlinit. Në Tiranë kanë nisur një sërë arktivitetesh që përkujtojnë këtë përvjetor.
Në takimin-debat që fondacioni "Hanns Seidel" dhe shoqata "Ceapal" zhvilluan me këtë rast, Fatos Lubonja bëri një analizë të shkurtër me temë "Shoqëria shqiptare dhe Muri i Berlinit", duke theksuar së pari që Shqipëria nën diktaturë nuk ka pasur disidencë, domethënë një opozitë (jopolitike) as nëpërmjet inteligjencës, as nëpërmjet artit dhe as në ndonjë formë tjetër.
"Rënia e regjimit komunist në Shqipëri nuk erdhi nga disidenca e brendshme, nga revolta e popullit", u shpreh ai, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vendet e tjera të Evropës Lindore.
Publicisti kujtoi për të pranishmit një fragment nga takimi i Ramiz Alisë me studentët, në të cilin kryeministri dha shenjën e parë të tërheqjes së komunizmit. Duke folur për vonesën e rënies së regjimit, ai nuk mund të linte pa përmendur edhe shkakun, izolimin e Shqipërisë. "Vendi ynë ka qenë një vend krejtësisht i izoluar dhe nuk ka pasur asnjë mundësi komunikimi me vendet e tjera", pohoi ai.
Vazhdimisht, në shkrimet e tij publicistike - arenë e mendimit të tij të pavarur dhe të pakompromis, nuk janë vetëm të së përditshmeve, po edhe revista "Përpjekja" të cilën e themeloi dhe e drejton prej vitit 1994 - ku është shprehur me një frymë kritike ndaj të kaluarës komuniste. Ai e ka parë të kaluarën komuniste si një periudhë që ende nuk është eksploruar dhe e ka quajtur detyrë që "asaj të kaluare t'i kthehet ndërgjegja evropiane".
Ai i mbetet tezës se regjimi hoxhist ishte regjim i nacionalkomunizmit, simbiozë e dy ideologjive të nacionalizmit dhe komunizmit: midis lavdisë së një bote virtuale dhe mjerimit të një bote reale, ndërsa sot reflektohet ende një nga ngjyrat e kësaj ish-simbioze, përpjekjet për një flirt me pushtetin.
Më pas, diskutimi u spostua te problemet e viteve të tranzicionit. Për këtë pjesë ai shpjegoi se "vonesa e rënies së komunizmit pasoi me tranzicionin e vështirë e të gjatë që vendi ynë po kalon. Shqipëria ende ka probleme të mëdha me pronën. Këtu akoma punohet pa plane urbanistike dhe nuk dihet për sa gjatë do të vazhdojë".
Në fund të ligjëratës së tij, preku problemin e elitës shqiptare, një elitë e pabashkuar, që nuk komunikon dhe që nuk krijon ideale. "Problemi i elitës shqiptare është shumë i madh. Ajo nuk pati mundësi të zhvillohet dhe të komunikonte hapur. Kjo elitë ka një mur që ndan të kaluarën nga e tashmja. Këtë mur unë e shoh si një tumor, i cili nuk të lejon të krijosh ideale dhe të ecësh përpara", përfundoi Lubonja.
Fatos Lubonja ka dhënë një kontribut në letërsinë e burgut, ose e thënë ndryshe me letërsinë dokumentare. Ishte një kontribut i menjëhershëm, tre - katër vite pas daljes nga burgu i gjatë, më 1991. Botoi "Ploja e mbrame", "Në vitin e shtatëmbëdhjetë", "Ridënimi" që mbetet deri më sot një rrëfim unikal për dhunimin e të drejtave të njeriut nën regjimin e Hoxhës. Për ditarin "Në vitin e shtatëmbëdhjetë" ai u vlerësua me çmimin "Alberto Moravia" (2002).
Një vit më vonë nga Universiteti i Vjenës merr çmimin "Herder" për kontributet e përmendura më lart, shto këtu edhe për eseistikën me frymë evropiane të revistës "Përpjekja", e cila në fillimet e saj mblodhi penat më të mira të elitës shqiptare, tek i cili rreth duket se Lubonja ka mbetur vetëm.
Kritikat e tij për sistemin demokratik shqiptar, për gjysmën e rrugës që ky system pati bërë deri në vitin 1997, janë mbledhur në vëllimin "Liri e kërcënuar" (publicistikë e viteve 1991-1997).
Ndërkohë Lubonja vazhdon të shkruajë letërsi burgu. Tregimi është gjini me të cilin publiku nuk e njeh mirë Fatos Lubonjën, deri atëherë kur ai të vendosë për botimin e gjithë sa ka shkruar.