"Çmimi do diskutohet me grupet e interesit"
Nepravishta: Brenda 12 ditëve ne do të vendosim nëse do ta marrim ose jo në konsideratë kërkesën e OSSH-së
TIRANË- Kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga dita e parë e vitit të ardhshëm pranë Entit Rregullator të Energjisë konfirmohet edhe nga kreu i saj Bujar Nepravishta. Ashtu siç ishte parashikuar, kërkesa është dorëzuar në ditën e fundit të muajit shtator.
Nepravishta shpjegon edhe procedurat që do të ndiqen deri në miratimin përfundimtar të masës së rritjes. Sipas tij, brenda 12 ditëve nga data e dorëzimit, ERE do të vendosë nëse është e vlefshme kjo kërkesë dhe nëse do të merret në konsideratë, duke u bazuar në koston e prodhimit dhe të importit dhe dokumentacioni të dorëzuar nga OSSH-ja.
"Është e vërtetë që OSSH, konform rregullave ka dorëzuar pranë nesh një kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas procedurave, brenda 12 ditëve ne do të vendosim nëse do ta marrim ose jo në konsideratë atë duke kontrolluar një serë të dhënash që do të na ofrohen nga OSSH që kanë të bëjnë me koston e energjisë elektrike", - tha ai.
Pas marrjes në konsideratë të kërkesës, është OSSH-ja ajo që duhet t'i bëjë të ditur publikut për masën e rritjes që ka aplikuar. "Pas marrjes në shqyrtim, ne i kërkojmë OSSH-së që brenda 10 ditëve të publikojë tarifat e reja në shtyp.
Pas kësaj do të zhvillohet edhe një diskutim me grupet e interesit. Deri në datën 15 dhjetor të këtij viti, ERE do të marrë një vendim në lidhje më kërkesën e OSSH-së", - tha Nepravishta.
Çmimi i energjisë elektrike është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit duke arritur në nivelin aktual. Por, këtë vit gjendja është ndryshe pasi OSSH-ja nuk është me kompani shtetërore ku një pjesë e kostos së energjisë subvencionohej nga shteti. Tashmë të gjithë koston do ta paguajnë qytetarët çka pritet të pasqyrohet edhe në masën e rritjes që do të miratojë ERE.