E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta/ Gjermania: S’po bllokojmë dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë. Duam edhe konsensusin e aleatëve

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka bërë të ditur sot se Berlini nuk po bllokon në mënyrë të njëanshme dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.

Sipas tij, qeveria gjermane është e gatshme të lëvizte shpejt në këtë drejtim nëse do të kishte konsensus midis aleatëve.

Pistorius tha se ka arsye pro dhe kundër për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.

“Ka arsye të mira për dërgimin e tyre dhe ka arsye të mira kundër dërgimit të tyre, dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e një lufte që po vazhdon për gati një vit, të gjitha argumentet pro dhe kundër duhet të peshohen me shumë kujdes”, u shpreh ai teksa ishte duke folur me gazetarët, në një takim të liderëve të NATO-s dhe të mbrojtjes, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.

Presioni mbi Berlinin është rritur për të siguruar tanke për Kievin, të cilat Ukraina i sheh si kyçe në luftën kundër Rusisë. Ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më herët u kërkoi aleatëve që të mbështesin më shumë Ukrainën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›