Lufta Rusi–Ukrainë/ Historia ruse e klasave 10–11 justifikon pushtimin

Shkollat e mesme ruse nisin mësimin muajin e ardhshëm dhe nxënësit do të kenë në duart e tyre librat e rinj të historisë, të cilët flasin për luftën Rusi–Ukrainë sipas linjës zyrtare të Kremlinit.
Librat e klasave 10 dhe 11 u referohen pushtimit rus të shkurtit 2022 si një “operacion ushtarak special” kundër “shtetit neonazist të Ukrainës”.
Rusia vetë përmendet si “vend heronjsh” dhe se “nuk ishte Rusia që i nisi veprimet ushtarake, por ajo tentoi t’i japë fund atyre.”
Libri është përgatitur për nxënësit 17-vjeçarë, të cilët kanë për studim periudhën historike nga viti 1945 deri në kohën e sotme.
Sipas autorëve, qëllimet e Rusisë në Ukrainë ishin “mbrojtja e rajonit të Donbasit dhe garantimi i sigurisë parandaluese nga pala ruse.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë, shpërfaqen nga autorët si fajtore të konfliktit: SHBA janë të vendosura për ta vazhduar luftën dhe ndihmën ushtarake për Kievin “deri në ukrainasin e fundit”, shkruhet në libër.
Faji i hidhet edhe Bashkimit Europian për rolin që luan në “falsifikimin e historisë”. Sipas autorëve, SHBA-ja dhe BE-ja “kanë tjetërsuar ‘trutë tanë’ duke shkruar në librat e tyre të historisë për t’i bindur rusët rreth ‘natyrës përgjithnjë agresive dhe kolonialiste’ të vendit të tyre.”
“Po të lexoni informacione për Ukrainën në internet, mbani mend: industria globale e prodhimit të klipeve të shkurtra dhe të fotove të rreme nuk resht asnjëherë… Qëndroni vigjilentë dhe mendoni: pse disa ‘aktivistë të opozitës’, ‘blogerë’, ‘opinionistë’ përfshihen në lajmet e rreme? Cili është interesi i tyre? Mendoni dhe nuk keni për të rënë viktimë e manipulimeve të dobëta,” shkruhet në librin e historisë për nxënësit rusë.
Teksti, së bashku me librin për 16-vjeçarët e klasave të 10-ta, të cilët lidhen me Luftën e Dytë Botërore, u shpallën të hënën me kërkesë të ministrit të Arsimit, Sergei Kravtsov, dhe do u vihen në dispozicion shkollave më 1 shtator.
Tekstet për klasat e tjera do të rishikohen për vitin shkollor 2024–25, tha ministri Kravtsov. /Washington Post
/rtsh.al/