E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndryshimet klimatike/ OKB: Furnizimet ushqimore gjithnjë e më në rrezik

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike mund të shtojnë tokat e shkretëtirëzuara shumë më shpejt sesa mendohet, çka pritet të sjellë ndërprerje të rënda në furnizimet ushqimore

“Bota ka të ngjarë të përballet me ndërprerje të rënda në furnizimet ushqimore shumë përpara se temperaturat të kalojnë 1.5 gradë mbi nivelet para-industriale,” deklaroi kryetari i Konferencës së OKB-së për Shkretëtirëzimin, Alain-Richard Donwahi.

Kërcënuese për bujqësinë botërore janë pasojat e krizës klimatike të ndërthurura me mungesën e ujit dhe praktikat e këqija bujqësore.

“Efektet e thatësirës po shfaqen më shpejt se sa pritej”, shpjegoi ish-ministri i mbrojtjes i Bregut të Fildishtë, i cili drejtoi samitin e OKB-së.

“Ndryshimi i klimës është një pandemi që ne duhet ta luftojmë shpejt. Shikoni se sa shpejt po degradohet klimë – mendoj se po shkon edhe më shpejt nga sa prisnim,” tha Donwahi.

“Të gjithë fiksohen nga rritja e temperaturave me 1.5 gradë mbi nivelet para-industriale dhe ky është një objektiv shumë i rëndësishëm. Por në realitet, disa gjëra shumë të këqija mund të ndodhin, përsa i përket degradimit të tokës, mungesës së ujit dhe shkretëtirëzimit, shumë më shpejt se 1.5 gradë,” theksoi ai.  

Gazetar: Artur Mata

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›