E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta Rusi-Ukrainë, forcat ruse lëshojnë dhjetëra dronë dhe raketa

Forcat ruse lëshuan 20 sulme me raketa gjatë 24 orëve të fundit në rajonet Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Harkiv, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij, ndërsa alarmet për sulme ajrore u dëgjuan për orë të tëra.

Rusia kreu gjithashtu 48 sulme ajrore duke përdorur dronë sulmues Shahed të prodhuar nga Irani dhe lëshoi 90 raketa në pozicionet e trupave ushtarake ukrainase dhe në zonat e populluara me civilë, tha ushtria ukrainase.

Forcat ukrainase thanë se kanë bërë disa përparime në krahun verior dhe jugor të qytetit të Bahmutit, tha më 23 maj gjenerali Oleksandr Syrskiy, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës.

Rusia në fundjavë pretendoi se kishte pushtuar të gjithë qytetin, i cili është bërë epiqendra e një beteje disamujore në Ukrainën lindore.

Ndërkohë, një sërë fshatrash në rajonin rus të Bolgorodit, në kufirin me Ukrainën kanë qënë në shënjestër të sulmeve të ashpra, me dronë, mortaja e artileri.

Siç bëri të ditur guvernatori i rajonit, Vyacheslav Gladkov mes fshatrave të goditur ishin ato të Golovçino, Antonovka dhe Kozinka. Sipas tij, të paktën 12 civilë janë plagosur, ndërsa janë dëmtuar rreth 30 shtëpi dhe 3 automjete.

“Shumica e popullsisë është evakuuar nga territori. Situata është e tensionuar, vazhdon të jetë e tillë. Ne kemi nisur një operacion kundër terrorizmit dhe shumë kufizime janë në fuqi”, tha guvernatori i Bolgorod Gladkov.

Rusia ka akuzuar për sulmet ato që i quan sabotatorë ukrainas, por burime të inteligjencës në Kiev të cituara nga mediat në vend thonë se pas tyre qëndronin dy grupe te armatosura opozitare ruse, njëri prej të cilëve, i quajtur Legjioni rus i Lirisë, mori përgjegjësinë përmes një prononcimi në Twitter.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, theksoi në një deklaratë se militantët Ukrainës, siç i quajti, janë ende aktivë në rajonin e Bolgorod. Sulmin përtej kufirit ai e cilësoi si tejet shqetësues dhe tha se operacioni special në Ukrainë, synonte ndër të tjera edhe parandalimin e episodeve të ngjashme në të ardhmen.

Gazetar: Artur Mata

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›