Lufta/ Rusia fillon tërheqjen nga Khersoni, forcat ukrainase rimarrin dhjetëra qytete në jug: Kemi korrur fitore të mëdha

Ushtria ukrainase ka deklaruar se ka korrur fitore të mëdha gjatë ditëve të fundit rreth Khersonit, pasi trupat ruse po tërhiqen nga qyteti jugor. Trupat ukrainase thonë se kanë marrë përsëri qytetin kyç të Snihurivka, 50 km në veri të Khersonit.
Kievi ka pretenduar gjithashtu përparime të mëdha në dy fronte pranë Khersonit, deri në 7 km në disa vende. Rusia thotë se ka filluar të largohet nga qyteti, që ishte “trofeu” i saj kryesor i pushtimit, por procesi mund të zgjasë me javë.
Pavarësisht njoftimit të Moskës, zyrtarët ukrainas ishin skeptikë, duke paralajmëruar se paralajmërimi për tërheqjen e trupave, mund të ishte një kurth.
Në total, trupat ukrainase kanë rimarrë më shumë se 40 vendbanime nga kontrolli rus gjatë avancimeve të tyre në Ukrainën jugore, tha presidenti Volodymyr Zelensky.
Kherson ishte i pari, dhe i vetmi, kryeqytet rajonal që ra në duart e Rusisë pasi pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Nga fundi i shtatorit, Kremlini e shihte si territor rus, pas të ashtuquajturave “referendume” në zonat e pushtuara të Ukrainës, që u diskredituan gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.
Të mërkurën, Moska tha se nuk ishte më e mundur të furnizohej qyteti, duke theksuar se do të tërhiqej nga bregu perëndimor i Dnipro.
Gjenerali i Ukrainës, Valeriy Zaluzhny, tha se Rusisë nuk i kishte mbetur asnjë alternativë veçse të arratisej, pasi linjat e saj të furnizimit u shkatërruan dhe sistemet e saj të komandës u ndërprenë.
Më vonë të enjten, ministri i mbrojtjes i Ukrainës tha se Rusisë do t’i duhej të paktën një javë për t’u tërhequr dhe se nuk ishte e lehtë të parashikoheshin veprimet e “armikut”.
Jens Stoltenberg, kreu i aleancës ushtarake të NATO-s, tha se ishte e qartë se Rusia ishte nën “presion të madh”, por se ishte e rëndësishme të shihet “si zhvillohet situata në terren”.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia duket se po krijonte një linjë mbrojtëse në anën tjetër të lumit Dnipro duke përdorur instalime betoni.
Një këshilltar presidencial ukrainas tha se ishte shumë herët për të festuar, duke akuzuar “armikun” se dëshiron ta kthejë Kherson në një “qytet vdekjeje” duke lënë mina dhe duke komplotuar për ta bombarduar atë nga larg.
Kjo mund të shtojë numrin e viktimave të një lufte që ka vrarë ose plagosur tashmë 100,000 ushtarë nga secila anë dhe 40,000 civilë, sipas vlerësimit të fundit nga një gjeneral i lartë amerikan./ BBC
/rtsh.al/