Lufta e pakuptimtë me arbanas (I)
Serbia, e bashkë me të edhe shtetet tjera ballkanike, duhet t’i vendosin themelet e sinqerta, të ndershme dhe të qëndrueshme të një bashkësie ballkanike, në mënyrë që atëherë edhe Shqipëria t’i bashkëngjitet pastaj kësaj bashkësie – pa asnjë dyshim.
Në një bashkësi të tillë garanci për të gjithë popujt ballkanikë është pavarësia e tyre, përfshirë këtu edhe arbanasit. Pa këtë bashkësi të gjithë do të shkatërrohemi, disa më herët e disa më vonë, përfshirë këtu edhe arbanasit. Të ndarë, të copëtuar, të lëndueshëm dhe të disponuar armiqësisht ndaj njëri-tjetrit, ne në Ballkan vetëm sa do t’ia hapim varret njëri tjetrit, për llogari të dikujt tjetër.
Ne jemi kundër mësymjes luftarake ndaj arbanasve, për dy arsye: e para, sepse kjo është një mësymje luftarake pushtuese, të cilën duhet ta kundërshtojë çdo mendje e shëndoshë; e dyta, sepse ky sulm kundër arnautëve na shkakton një fatkeqësi, hap një hendek ndërmjet dy popujve – të cilët diku-diku janë shumë të përzier – i cili krijon një armiqësi, e që pastaj do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Dhe, e gjithë kjo nuk do të duhej dhe as nuk ka qenë e nevojshme të ndodhte, po të kishte sadopak mençuri, dhe po qe se, gjatë lëvizjeve të tyre, përfaqësuesit e burokracisë dhe qeveria jonë, të mos kishin qenë të verbuara nga etja për pushtim dhe nga apetiti agresiv i borgjezisë sonë, e cila, e çliruar nga çfarëdo konsiderate nacionale, vetëm po kërkon sa më shumë territore, sa më shumë tregje, dhe sa më shumë masa prodhuese e konsumuese, të cilat dëshiron t’i eksploatojë.
Në këtë mësymje pushtuese, fillimisht, nuk u has në ndonjë kundërvënie të organizuar të arbanasve. Përveç një rezistence të pakët, që gjatë hyrjes tonë në Kosovë e bënë ata të cilëve iu kujtoheshin shumë mirë sjelljet e pushtuesve serbë të vitit 1878 – të cilët, kryesisht, ishin shpërngulur nga po ato vise që Serbia i pushtoi – arbanasit u tërhoqën pothuajse gjithkund para ushtrisë serbe. Beteja të hapura nuk pati, megjithëse në ndërkohë u shfaqën disa beteja që u përditësuan nëpër ato vise shkëmbore, dhe të cilat deri para pak kohe po përdorshin edhe nga malazezët. Janë pikërisht këto beteja që do të na largojnë tepër shumë, dhe të cilat do të krijojnë një abis të pakapërcyeshëm ndërmjet dy popujve, të cilët kanë mundur të jetonin vëllazërisht, të mbështeteshin tek njëri-tjetri, dhe të mbroheshin bashkërisht nga rreziku i përbashkët.
Në këtë kontekst, u shtrua edhe çështja e autonomisë së arbanasve. Çështja ka përfunduar, arbanasit do të shpëtohen përmes pushtimit të Austro-Hungarisë, e cila fillimisht ka kërkuar, e pastaj edhe e ka plotësuar kërkesën, që Shqipëria të jetë autonome. Kjo rrethanë vetëm sa do të nxit edhe më tepër urrejtjen e arbanasve ndaj nesh; ata do të thonë: Serbia synoi që të na pushtonte e të na shkatërronte, por Austria na shpëtoi! Rrjedhimisht, dhe për më tepër, ata do të jenë një armë e Austrisë kundër Serbisë.
Në të vërtetë, qarqet zyrtare serbe po mundohen të dëshmojnë se arbanasit nuk e dëshirojnë një Shqipëri autonome, por që të “ndahen” mes “aleatëve” ballkanikë. Me datën 15 të këtij muaji, nga Durrësi arriti një telegram, në të cilin edhe konfirmohet kjo gjë, dhe ku fjalëpërfjalshëm thuhet:
“Popullata nga dy qarqet më të mëdha të rrethit të Durrësit i ka nisur sot Konferencës së Ambasadorëve në Londër një telegram, përmes të cilit protestohet ndaj autonomisë së Shqipërisë. Në këtë kuptim, edhe popullata e fshatrave që ndodhen përreth Krujës, respektivisht kryeqendrës së vjetër të arabanasve, ka nisur sot një telegram. Konferencës së Ambasadorëve në Londër telegrame të tilla më herët i dërguan edhe banorët e besimeve myslimane, katolike dhe ortodokse të qytezave të Durrësit, Tiranës, Krujës, Elbasanit, dhe të rretheve të tyre”.
Edhe nëse këto supozime përnjëmend do të përputheshin me disponimin e vërtetë të arbanasve, ato vijnë pakëz vonë: sepse, çështja e krijimit të një shteti të tyre të pavarur tashmë është kryer, dhe tani po punohet vetëm në përcaktimin e kufijve të tij. Por, ne kemi të drejtë të dyshojmë nëse këto supozime vërtet pasqyrojnë disponimin e njëmendët të arbanasve. Për shkak se, krejt ndryshe, arbanasit ka kohë që kanë shfaqur dëshirën e tyre për autonomi, prandaj edhe kanë organizuar aq shumë kryengritje.
Ata këtë synim të tyre e dëshiruan dhe u munduan ta arrinin në marrëveshje me serbët, dhe me ndihmën e tyre. Prandaj, në vitin 1804, gjatë kryengritjes tonë për çlirim pati edhe arbanas, njësoj siç gjatë marrjes së Beogradit (në vitin 1806) u dëgjuan edhe britmat e tyre luftarake, por edhe britmat në të gjitha gjuhët e Gadishullit Ballkanik.
Viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, përfaqësuesit e tyre fisnor shprehën gatishmëri të plotë për punë të përbashkët dhe për bashkëpunim me serbët. Edhe pas vitit 1878, kur administrata serbe u tregua skajshmërisht e egër, por edhe pas një agjitimi antiserb që Austria e udhëhoqi sistematikisht në mesin e arbanasve, nëpërmjet iniciativës së tyre arbanasit dy herë dëshmuan se dëshirojnë të punojnë bashkë me Serbinë. Ja edhe faktet për këtë.
(vazhdon nesër)
*Burimi: „Radničke novine", nr. 26-27, 28 shkurt dhe 1 mars 1913. Përgatiti Damjan Pavlica; përktheu dhe përshtati Faton Raçi.