Lufta me Rusinë/ OKB: Pritet të rritet numri i refugjatëve ukrainas

Shefi i agjencisë për refugjatët i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se Kievi dhe qeveritë evropiane duhet të përgatiten për një valë të re të njerëzve që largohen nga luftimet.
Komisioneri i Lartë për Refugjatë, Filippo Grandi në një prononcim për AFP-në ka theksuar se pavarësisht se disa herë i është ofruar ndihmë, Rusia ende i lejon kësaj agjencie qasje të kufizuar tek ukrainasit që gjendet në atë zonë.
“Gjëja që mund të them është se çdo përkeqësim i luftës rrezikon të shkaktojë zhvendosje të mëtejme, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe ne duhet të jemi të gatshëm për këtë gjë. Siç e kemi parë kudo, në Mariupol, Herson, çdoherë kur luftimet intensifikohen, njerëzit tentojnë që të gjejnë një vend të sigurt”, theksoi ai duke iu referuar dy qyteteve ku ka pasur luftime të ashpra, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës pothuajse një vit më parë.
Grandi shtoi se “ne po i themi Qeverisë ukrainase, por edhe qeverive të shteteve fqinje, ‘bëhuni gati, përgatituni për çdo eventualitet”, theksoi ai.
Ndërkaq, autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar gjatë kësaj jave se forcat ruse po intensifikojnë ofensivën e tyre, në përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e qytetit të Bahmutit, që gjendet në rajonin e Donjeckut.
/rtsh.al/