Lufta ndaj krimit të organizuar - BE, 950 mijë euro mbështjetje për qeverinë shqiptare
Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion 950 mijë Euro për një projekt të ri në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar. Burime pranë Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë bënë të ditur dje se projekti do të vihet në zbatim nëpërmjet një binjakëzimi ndërmjet Home Office (Ministrisë së Brendshme) të Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Ky projekt do të ndihmojë Ministrinë e Brendshme të ndërtojë një strategji gjithëpërfshirëse të pajisur me një program trajnimi dhe zhvillimi për luftën kundër krimit të organizuar dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë. Qëllimet e këtij projekti do të arrihen nëpërmjet një ndërthurje të këshillimit dhe ndihmës për çështje operacionale. Ndihma në fushën e luftës kundër krimit të organizuar do të përfshijë zhvillimin e kapaciteteve të policisë sekrete, mbledhjen e të dhënave dhe përdorimin e pajisjeve të specializuara. Kjo do të arrihet në veçanti nëpërmjet formulimit të detyrave strategjike dhe transferimit të dijeve në këtë fushë nga Mbretëria e Bashkuar. Projekti gjithashtu do të trajtojë çështje praktike të bashkëpunimit të përditshëm mes agjencive të ndryshme që kanë të bëjnë me vendosjen e rendit.