Lufta ndaj trafikut të qënieve njerëzore, luftë ndaj varfërisë

Varfëria vlerësohet si një ndër faktorët kryesor që ushqen trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve. Në Ditën Botërore kundër trafikimit të qënieve njerëzore, drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj thotë se raporti i DASH mbi Trafikimin e Qënieve Njerëzore për vitin 2021, ka ngritur si shqetësim edhe përfshirjen e të miturve në kultivimin e lëndëve narkotike.
Sipas Hazizajt, lufta ndaj trafikut të qënieve njerëzore lidhet ngushtë me luftën ndaj varfërisë. Ndaj Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA i kërkoi qeverisë të ndryshojë qasjen në luftën kundër trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.
Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, të paktën 14 përqind e popullsisë në vend jeton në varfëri absolute, ose rreth 414,000 persona, nga të cilët të paktën 185,000 janë fëmijë.